POLITIKË /

Çfarë ndodhi? Përplasje në Samitin e SEECP në Tiranë, Serbia dhe Bosnja votojnë kundër deklaratës së përbashkët

Megjithatë, pavarësisht toneve bashkëpunuese të sesionit plenar, samiti nuk arriti të prodhojë një deklaratë të përbashkët, për shkak të mosmarrëveshjeve politike midis vendeve pjesëmarrëse.

Shkruar nga Versus

 

Çfarë ndodhi? Përplasje në Samitin e SEECP në

Shqipëria priti këtë të hënë Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), nën drejtimin e Presidentit Bajram Begaj, me fokus në forcimin e bashkëpunimit për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik e politik të rajonit.

Megjithatë, pavarësisht toneve bashkëpunuese të sesionit plenar, samiti nuk arriti të prodhojë një deklaratë të përbashkët, për shkak të mosmarrëveshjeve politike midis vendeve pjesëmarrëse.

Serbia largohet para fotos familjare

Sipas burimeve nga mediat rajonale, Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, ka qenë lideri i parë që është larguar nga Samiti, pa firmosur deklaratën. Serbia ka pasur rezerva në lidhje me pjesët e dokumentit që lidhen me luftën Rusi-Ukrainë dhe situatën në Lindjen e Mesme, duke kundërshtuar gjuhën e përdorur në dokument për këto çështje.

Për më tepër, përfaqësuesit serbë kanë kundërshtuar mënyrën se si ishte përmendur Kosova në tekstin e projekt-deklaratës, duke kërkuar që pranë emrit të Kosovës të vendosej fusnota (*), që i referohet statusit të saj të diskutueshëm për Serbinë. Në mungesë të kësaj fusnote, delegacioni serb refuzoi nënshkrimin dhe u largua nga seanca.

Edhe Bosnje-Hercegovina refuzon firmën

Pas Serbisë, edhe Bosnje-Hercegovina nuk e firmosi deklaratën përfundimtare, ndonëse ende nuk janë bërë publike shkaqet zyrtare për këtë qëndrim.

Shqipëria përmbyll presidencën e suksesshme të SEECP

Pavarësisht mungesës së një deklarate të përbashkët, Samiti u konsiderua i suksesshëm në aspektin organizativ dhe simbolik, me Shqipërinë që përmbylli presidencën njëvjeçare të SEECP-së për periudhën Korrik 2024 – Qershor 2025. Presidenca i kalon tashmë Bullgarisë, me Sofjen që do të udhëheqë këtë proces në vitin e ardhshëm. /Versus.al

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Poll