Një goditje e beftë diplomatike nga Uashingtoni ka tronditur skenën politike në Prishtinë. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik me Kosovën, duke ngritur shqetësime të hapura për “veprimet dhe deklaratat e fundit” të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilat sipas ambasadës amerikane në Prishtinë kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në rajon.
Ky zhvillim i papritur është pritur me entuziazëm nga mediat pro-qeveritare serbe, të cilat kanë interpretuar vendimin amerikan si një “ndëshkim” të drejtpërdrejtë ndaj Kurtit dhe një fitore të diplomacisë serbe.
“SHBA-ja sapo i dha shuplakë Prishtinës: Suspendim, dhe atë pa afat”, shkruan B92.
“Ndëshkim nga Uashingtoni. SHBA ndërpret bashkëpunimin me Prishtinën për shkak të Kurtit”, raporton Alo.
“Fitore e vogël e diplomacisë serbe: Amerika ‘ia ftohu’ Kurtit”, shpërthen “Informer”.
Edhe “Sputnik Serbia” e quajti vendimin si një “ndëshkim ekspres” për Prishtinën.
Sipas këtyre mediave, ky vendim i SHBA-së vjen si pasojë e tensioneve të fundit në raport me Listën Serbe, pas zgjedhjes së zëvendëskryetarit të Kuvendit nga komunitetet joshumicë – një lëvizje që ka shkaktuar përplasje politike dhe reagime ndërkombëtare.
Ambasada amerikane
Në deklaratën e saj, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë sqaroi se vendimi për pezullim është marrë për shkak të prishjes së klimës së besimit dhe progresit, duke nënvizuar se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës bëhen të mundura vetëm mbi bazën e stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit konstruktiv.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite. Ne shpresojmë që përpjekjet për dialog të vazhdojnë në të ardhmen, kur kushtet të jenë të përshtatshme,” – thuhet në reagim.
Ambasada thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj partneritetit me popullin e Kosovës, por mesazhi është i qartë: mbështetja amerikane nuk është e pakushtëzuar.
Çfarë është Dialogu Strategjik dhe pse ka rëndësi?
Dialogu Strategjik është një format i avancuar bashkëpunimi dypalësh, i cili zakonisht përfshin fusha kyçe si siguria, mbrojtja, energjia, ekonomia dhe diplomacia. Ai zhvillohet në nivele të larta mes zyrtarëve të dy vendeve dhe synon thellimin e marrëdhënieve bilaterale.
SHBA ka zhvilluar dialog të tillë me vende si Franca, Britania e Madhe, Austria, Greqia, Maqedonia e Veriut, por edhe me vende më të vogla si Moldavia, Sllovenia apo Rumania.
Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut ka pasur një dialog të tillë të formalizuar me SHBA-në, me takimin e parë të mbajtur në qershor 2022 në Uashington.
Ndërkohë, më 6 gusht, Sekretari i Shtetit Marco Rubio njoftoi se SHBA dhe Serbia do të nisin dialog strategjik në fund të vitit, një lajm që tashmë merr edhe më shumë peshë në dritën e pezullimit të dialogut me Kosovën.
A është ky një sinjal për Qeverinë Kurti?
Për mediat dhe analistët ndërkombëtarë, ky pezullim përfaqëson një sinjal të qartë paralajmërues ndaj Prishtinës, dhe veçanërisht ndaj qasjes së Kurtit në raport me ndërkombëtarët.
Ndërsa vetë Kurti ende nuk ka reaguar publikisht, pezullimi i Dialogut Strategjik mund të konsiderohet si momenti më kritik në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Sipas ekspertëve në një kohë kur Serbia po afrohet gjithnjë e më shumë me Uashingtonin në këtë format strategjik, izolimi diplomatik i Prishtinës për shkak të keqmenaxhimit politik mund të ketë pasoja afatgjata.







