POLITIKË /

“Firmosa nën presionin e Ajolës”, avokatët e Xoxës dalin kundër ish drejtoreshës së TKOB: Shpifje!

Sipas burimeve, pritet që në ditët në vijim të merren në pyetje edhe persona të tjerë të përfshirë në lidhje me kontratat e dyshimta që përmend Voshtina në dëshminë e saj.

Shkruar nga Versus

“Firmosa nën presionin e Ajolës”, avokatët e

Avokatët e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë dalë sot me një deklaratë publike pas publikimit në media të disa dëshmive të dhëna nga Abigeila Voshtina, ish-drejtoreshë e Teatrit të Operas dhe Baletit, aktualisht nën hetim nga SPAK.

Sipas raportimeve, Voshtina ka deklaruar para prokurorëve të Posaçëm se kishte firmosur kontrata me vlerë mijëra euro në mënyrë të paligjshme, si pasojë e presionit dhe ndikimit që Ajola Xoxa kishte ushtruar përmes emrit të bashkëshortit të saj, Erion Veliaj.

Deklaratat e saj janë bërë pjesë e hetimeve në kuadër të disa çështjeve penale ku përmendet edhe emri i Xoxës.

Në reagimin e tyre zyrtar, avokatët e Xoxës i kanë cilësuar këto deklarime si “të pabazuara në prova, të motivuara politikisht dhe të shpërndara me qëllim manipulimi të opinionit publik”. Ata theksojnë se klientja e tyre nuk ka pasur asnjë rol në procedurat administrative të institucionit që drejtonte Voshtina dhe se “çdo përpjekje për ta lidhur emrin e saj me shkelje ligjore është spekulative dhe e pabazuar”.

“Zonja Xoxa nuk ka ushtruar kurrë ndikim mbi vendimmarrjet e zyrtarëve publikë dhe nuk ka patur kurrë kompetenca zyrtare në asnjë institucion shtetëror,” – thuhet në deklaratën e përbashkët të mbrojtjes.
SPAK nuk ka reaguar ende zyrtarisht mbi deklaratat publike të avokatëve, ndërsa hetimet mbi çështjen vijojnë. Sipas burimeve, pritet që në ditët në vijim të merren në pyetje edhe persona të tjerë të përfshirë në lidhje me kontratat e dyshimta që përmend Voshtina në dëshminë e saj.

Ngjarja ka ngjallur interes të lartë publik, për shkak të përfshirjes indirekte të bashkëshortit të Ajola Xoxës, kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili deri më tani nuk ka komentuar mbi zhvillimet më të fundit. /Versus.al

Poll