Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi sot në një konferencë për media se kreu i PL, Ilir Meta, është ndëshkuar me masë disiplinore nga administrata e burgjeve.
Sipas Blushit, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgimin 313 “Jordan Misja” që prej 21 tetorit 2023, është pezulluar për 10 ditë nga pjesëmarrja në aktivitetet sportive të institucionit. Shkak për këtë masë është bërë një intervistë televizive që Meta dha për një media vizive, gjë që, sipas autoriteteve, përbën shkelje të rregullave të brendshme.
Ishte televizioni “Ora News” që publikoi pamjet e bisedës në studio mes Metës dhe moderatores Beti Njuma.
Biseda fillimisht nisi mes kreut të Partisë së Lirisë dhe Blushit, ndërsa ky i fundit ia kalon më pas telefonin moderatores.
Ilir Meta: Përshëndetje Beti, për ju dhe Orën tuaj, Ora e Betit (emri i emisionit). I thashë, do t’i bësh shumë të fala Betit. Kur bëra Majën e Çikës herën e kaluar, Fatjoni që kishte qenë me ju më tha që këtu ka ndrydhur çik këmbën Beti, në mos gaboj.
Beti Njuma: Po ka 5 vjet ajo histori. Zoti Meta, sipo e bëni telefonatën tani, lejohet apo është nga ato telefonat e burgut.
Ilir Meta: Është telefon i burgut. Unë sa u ktheva nga Infermieria, se bëj herë pas here për qejf matje tensioni. 7 me 11, nuk lëviz këtu, është një gjendje e jashtëzakonshme. Të gjithë parametrat janë shumë lart. Jemi shumë mirë, si në kavalishencë. Si kavalishenca e Ministrisë së Mbrojtjes.
Beti Njuma: Nuk e besoj këtë
Ilir Meta: Jo jo, unë jam si në kavalishencë personalisht, jam shumë mirë./Versus.al







