
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim sot në Berat me përfaqësues të teknologjisë dhe start up-eve mbi sfidat e vendit drejt rrugëtimit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Përpara nisjes së diskutimeve kreu i qeverisë u bëri thirrje të pranishmëve që të flisnin haptas lidhur me çdo lloj kritike që kanë mbi punën që duhet të bëjë qeveria në këtë fushë.
Madje nuk ngurroi të përdorte batutat duke thënë se në rast se ndonjë prej qeverisë do të kishte komunikim jo të përshtatshëm me ta, atëherë ata mund të ‘hakmerreshin’ me metoda që vetëm ata i dinë nëpërmjet teknologjisë.
“Nuk kemi ardhur këtu të bëjmë mbledhje apo takim si në raste të tjera që ka një sebep për të shpallur fituesit e një raundi aplikimesh për start upet. Çohen disa nga ju e thonë fjalët e tyre. Këtu iu kemi ftuar të na flisni shumë hapur. Ju e keni edhe lirinë që të thoni atë që doni dhe mendoni sepse nuk keni asnjë lloj varësie nga ne. jo vetëm kaq, por dispononi edhe elemente që mund të na bëni dëm në rast se doni të merrni hak për ndonjë komunikim të papërshtatshëm nga ana jonë. Madje të na e bëni dëmin pa e kuptuar se jeni ju që e bëni dëmin dhe ta shijoni me ato talentet sesi na bllokoni. Kështu që ju lutem shumë, do doja maksimumin e lirisë në këtë komunikim sepse na intereson të kuptojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë nga këndvështrimi juaj që na shikoni nga një nivel i ndryshëm interesash dhe nevojash. Ndihuni të lirë për çdo lloj rezerve që lidhet me ato pjesë të qeverisë që lidhen me punën tuaj”- u shpreh Rama. Versus.al







