
Disa orë para përfundimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave për kreun e PD, ish-deputeti Ervin Salianji ka njoftuar se këtë veprim do ta kryejë më 30 prill.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social ku citon vargjet e Naim Frashërit “Dielli lind andej nga perëndon”, Salianji shkruan se pavarësisht asaj që e konsideron “farsë” do të futet në garë për të marrë kreun e PD-së pas përplasjeve në distancë me Berishën.
“Drita, përparimi, qytetërimi dhe demokracia vijnë nga Perëndimi. Prandaj shqiptarët e kanë vendosur që dijen dhe kulturën e marrin nga bota e përparuar. Modeli i demokracisë perëndimore më frymëzon dhe nuk do të ndalem në luftën për të lënë pas të shkuarën e për ta demokratizuar Partinë Demokratike.
Ironi e fortë: në ditën kur shpallet uzurpimi dhe shkallmimi i rregullave demokratike, ndodhem aty ku lindi Magna Carta, në tempullin të demokracisë. Pavarësisht farsës, nesër depozitoj kërkesën për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë”- shkruan Salianji ndër të tjera. Versus.al

