Një përplasje e ashpër ka ndodhur sot në Kuvend mes ministrit Taulant Balla dhe deputetit demokrat Flamur Noka, pas deklaratave të këtij të fundit për manipulim të votave të diasporës në zgjedhjet e 11 majit.
Noka akuzoi Partinë Socialiste se ka transformuar votën e emigrantëve në një “treg votash”, duke pretenduar madje se janë vendosur pajisje GPS në 500 zarfe të votimit në Selanik, për të gjurmuar votën. “Shqiptarët në diasporë nuk donin të votonin për ‘Yaris-in’… janë 500 qytetarë që kanë futur GPS në zarfe,” u shpreh ai.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, reagoi duke e cilësuar deklaratën si “alucinante” dhe një vepër penale nëse do të rezultonte e vërtetë. “Gjurmimi i votës është krim. Nëse ke prova, pse nuk shkon në SPAK? Apo po gënjen publikisht për të shmangur përballjen me të vërtetën e humbjes?”, iu drejtua ai Nokës.
Balla shtoi se zgjedhjet kanë përfunduar dhe PS ka marrë 300 mijë vota më shumë se opozita, ndërsa akuzoi demokratët për shpifje dhe përpjekje për të delegjitimuar procesin pa asnjë provë konkrete. Versus.al







