Pas takimeve që zhvilloi me strukturat qendrore dhe vendore në Vlorë e Tiranë, kryeministri Edi Rama bëri me dije se do të ketë edhe takime të ngjashme në bashki të tjera, ndërsa tha se u ka dhënë kohë dy javë strukturave që të punojnë për identifikimin e problematikave të qytetarëve.
Nëpërmjet një videoje në rrjetet sociale, kreu i qeverisë është përqendruar në çështjen e zaptimit të hapësirave publike duke u bërë thirrje të gjithë atyre personave që kanë vendosur trarë parkimi në zona private, pengesa, në rrugë dhe atyre pronarëve të bizneseve që kanë zgjeruar aktivietin e tyre me tenda në rrugë që të çmontojnë gjithçka brenda 2 javësh.
“Hapësira publike është kthyer në një hapësirë ku ka shumë abuzime, zgjerim të paarsyeshëm të aktiviteteve të ndryshme dhe ku ka gjithëfarëlloj trarësh e pengesash të krijuara nga koha që pengojnë frymëmarrjen e qetë e të lirë të komuniteteve në blloqet e banimit. Deputetët së bashku me drejtuesit dhe përgjegjësit e sektorëve në bashki do të shikojnë edhe çështje të tjera, por do jenë dy javë intensive dhe pastaj do të rikthehemi për të vendosur në favor të komunitetit sepse është bërë e papranueshme për shumë njerëz e lagje në qytetet e mëdha ushtrimi i forcës, abuzimit dhe symbyllja e strukturave përkatëse si përshembull është krejtësisht e dukshme në Vlorë. Kështu që duke thënë këto dua të sqaroj edhe një element tjetër. Do t’i bëj thirrje atyre që kanë keqkuptuar prej vitesh sensin e pronës së përbashkët dhe të asaj private. Kam parasysh zhvilluesit e pallateve që pasi kanë ndërtuar pallatet dhe bashkë me ta edhe ata që kanë lokalet, e kanë trajtuar pronën përreth si pronë private, ndërkohë që nuk është e tillë”- deklaroi Rama.
Në të kundër, kryeministri paralajmëroi ndëshkime me gjoba e deri në ndjekje penale.
“Nuk ka pronë private përsa kohë është një pronë e cila ka derivuar nga zhvillimi i ndërtesave rreth e rrotull. Nuk ka pronë private përsa kohë është hapësirë ku nuk ka leje për të bërë aktivitet të caktuar duke nisur nga parkimi. Nuk mund të vendosësh tra në qytet me pretendimin se është prona jote dhe të marrësh lekë për të lejuar banorët aty apo cilido qoftë tjetër të paguajë për të qenë zotër të vendit të vetë. u bëj thirrje të gjithëve që t’i heqin vetë këto tratë dhe atyre që janë hapur me tenda dhe kanë vënë këto mushamatë për pirjen e duhanit, që të fillojnë t’i çmontojnë vetë sepse jo vetëm që do t’u çmontohen por do përballen me gjoba e ndjekje penale”- shtoi kreu i qeverisë.
Një paralajmërim e pati edhe për të tijtë të cilëve u bëri thirrje që të zgjohen nga gjumi duke theksuar se që nga dyjavëshi i fundit i korrikut do të ketë një mobilizim të përgjithshëm për zgjidhjen e problematikave të ndryshme.
“Nëse disa brenda nesh i shohin 83 mandate si arsye më shumë për të fjetur gjumë, u them se jo vetëm që e kanë shumë gabim, por duhet të zgjohen një orë e më parë. Brenda 2 javësh duhet të kemi inventarët e të gjitha zonave në këto qytete me këto kleçka që ua kanë nxirë jetën banorëve në këto komunitete, prindërve, të moshuarve e fëmijëve.
Në dyjavëshin e dytë të korrikut do vazhdojmë për të mos u ndalur më me të gjitha forcat e ligjit, me të gjitha inspektoriatet dhe forcat e policisë bashkiake e të shtetit për ta ngritur njëherë e mirë në hava këtë shtëpinë tonë të përbashkët njësoj si amviset që bëjnë atë pastrimin e përgjithshëm të shtëpisë një herë në muaj. U bëj thirrje edhe atyre që fatkeqësisht ia kanë ndalë për një kohë jo të vogël që të bëjnë para e fitime në dëm të komuniteteve që të fillojnë të mbledhin plaçkat sepse boll është boll. Arsyet që dihen, më kanë bërë të jem shumë më pranë Tiranës e banorëve dhe e kam shumë të fortë detyrimin që në radhë të parë në Tiranë, Vlorë e Durrës ku kam marrë mbështetje edhe personalisht, të jem gati për ‘ju dhënë përgjigjen që ata kërkojnë”- u shpreh Rama mes të tjerash. Versus.al







