
Edi Rama ka reaguar sot ashpër pas humbjes së gjyqit ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për një deklaratë të vitit 2018, të cilën kryeministri e konsideronte shpifje.
Në një status të gjatë dhe me tone të forta ironie, Rama thotë se i janë dashur gjykatëses shtatë vjet për të arritur në përfundimin se ai “nuk ka pësuar dëm” nga deklaratat e Bashës, për faktin se vazhdon të mbajë postin e kryeministrit.
"Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!", shkruan Rama, duke e cilësuar arsyetimin si të denjë për një libër humori.
Rama shënjestron edhe nivelin e arsyetimit të gjykatëses në fjalë, duke thënë se vendimi është një alarm për drejtësinë në vend, duke e cilësuar gjuhën e tyre si logjikë 12-vjeçarësh.
“Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12-vjeçari!”
Në deklaratën e tij, ai ironizon edhe faktin që gjykatësja i përket unionit që ka kërkuar paga më të larta, duke e quajtur vendimin “një fakt për të qarë e jo për të qeshur”.
Rama nuk përmendi nëse do ta apelojë vendimin, por e përmbylli reagimin me një goditje për Bashën:
“Shpifësin në fjalë se marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh.”
Reagimi i plotë:
Gjykata e Shkallës Parë Tiranë sot ka hedhur poshtë padinë time për shpifje ndaj Lulit në vitin 2018, për të cilën gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë “si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata”, pra shpifja e Lulit “nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik”!!!
Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!! Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, po një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur - kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim!
Ndërsa po t’i shtosh pastaj kësaj ngjarjeje satirike gjyqësore, dyshimin për se si mund t’i vejë halli të drejtës së njerëzve për çështje më të rëndësishme në duart e një gjykatëseje të tillë, atëherë të vjen të pyesësh: A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?! Dhe të kuptohemi mirë, halli nuk është farë çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë se marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh:-)
Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12 vjeçari!!! Versus.al







