
Për herë të parë, Lulzim Basha ka dalë fitues. Jo në zgjedhje, por në gjykatë. Në një përballje gjyqësore me kryeministrin Rama, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka rrëzuar padinë e ngritur nga Rama ndaj Bashës.
Çështja kishte në qendër një deklaratë të bërë nga Basha në tetor të vitit 2018 nga selia e Partisë Demokratike, ku, sipas Ramës, ishin bërë "thënie të pavërteta" që i kishin shkaktuar atij dëm moral. Për këtë, Rama kërkonte një dëmshpërblim prej 1 milion lekësh dhe publikimin e një përgënjeshtrimi në të gjitha mediat që kishin transmetuar deklaratën.
Megjithatë, Gjykata, në seancën e mbajtur më 11 qershor 2025, vendosi ta rrëzojë padinë si të pabazuar në ligj dhe në prova, duke e ngarkuar Ramën edhe me shpenzimet gjyqësore.
Sipas vendimit, Rama ka të drejtë të ankimojë çështjen në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve nga marrja e vendimit të arsyetuar.
E nëse i kthehemi videove të famshme të fushatës për 11 majin, kur Rama i dedikonte Bashës vargje të Unikkatilit si: “Sa herë ki provu, gjithnjë ki dështu”, mesa duket, këtë herë refreni është përmbysur.
Një fitore është fitore – edhe kur është “si e Bashës”.







