
Kryeministri Edi Rama shprehu zhgënjimin e tij sot pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila refuzoi padinë e tij për shpifje kundër Lulzim Bashës, e depozituar shtatë vite më parë.
Në një reagim me tone ironike, Rama iu drejtua gjyqtares që mori vendimin, Ëngjëllushe Tahirit, duke e quajtur atë “Shvejkun” e sistemit të drejtësisë.
Sipas Ramës, arsyetimi i gjyqtares që padia nuk u pranua, pasi deklaratat e Bashës nuk kanë ndikuar në opinionin publik ndaj Ramës, është një konstatim jo vetëm i trishtë, por që meriton vëmendje serioze.
Kreu i qeverisë përdori këtë rast për të kundërshtuar kërkesën e Unionit të Gjykatësve, e bërë vetëm një ditë më parë, për rritje pagash prej 700 eurosh.
Në përfundim të reagimit, Rama shtoi se nuk është ai “që duhet të shqetësohet”, por shqetësimi duhet të jetë për çështjet më të rëndësishme që varen nga vendimet e gjyqtares në fjalë dhe të tjerëve si ajo.
Ëngjëllushe Tahiri u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vitin 2023. Ajo ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas stazhit në Gjykatën e Tiranës, u emërua në Gjykatën e Rrethit Krujë. Në vitin 2020, u komandua në Njësinë e Shërbimit Ligjor pranë Gjykatës së Lartë./Versus.al







