Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha komentoi sot pas mbledhjes së grupit parlamentar zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, ku në të pesta bashkitë kandidatët e pavarur që mbështeti opozita humbën përball rivalëve të Partisë Socialiste.
Berisha u shpreh se dje u vërtetua ajo që Partia Demokratike kishte thënë pas 11 majit, se në farsa elektorale, nuk do të zhvilloheshin zgjedhje të ndershme.
Kreu i demokratëve falënderoi të gjithë kandidatët e pavarur për guximin e treguar, duke theksuar se PD nuk i bojkotoi zgjedhjet e pjesshme lokale, por mbështeti kandidatët pavarsisht siç e quajti ai farës së Ramës.
“Falenderoj përzemërsisht kandidatët e pavarur për guximin e treguar dhe kjo faktoi se Shqipëria është në farsë elektorale, diktaturë totalitare dhe Shqipëria po njihet e tillë. Qytetarët dhe të gjithë e panë, ishte vetëm farsë elektorale. Ne nuk ishim në zgjedhje, në ishim në mbështetje të tyre, dhe ky nuk ishte bojkot nga ana jonë, jo. Ne bëmë thirrje për qytetarët që të votonin dhe mbështetëm kandidatët e pavarur”, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët për arsyen pse PD nuk vendosi kandidatë në këto zgjedhje, Berisha u përgjigj se kishin studiuar veprimet e socialsitëve dhe se do të përballeshin me farsë gjatë votimeve. Më tej shtoi se opozita do të vazhdojë betejat politike kundër mazhorancës.
“Ishin disa veprime të studiuara mirë se kjo qeveri zgjedhje nuk bën dhe kjo e provoi. Unë mendoj se farsa duhet luftuar, se në farsë nuk ka zgjedhje”, u shpreh Berisha./Versus.al


