POLITIKË /

Kur opozita akuzon, por nuk bind: PD-ja mes nostalgjisë dhe humbjes së besimit qytetar

Shkruar nga Versus
Kur opozita akuzon, por nuk bind: PD-ja mes nostalgjisë dhe humbjes së
Sali Berisha

Prej ditësh, Partia Demokratike ka ngritur zërin kundër qeverisë, duke akuzuar qeverinë Rama për afera të dyshimta në tendera publike me vlera marramendëse.

Por ndërsa korrupsioni është bërë refreni më i përsëritur i opozitës, pyetja që lind natyrshëm pas çdo palë zgjedhjesh është: pse shqiptarët nuk ia besojnë PD-së ndryshimin, edhe kur qeverisja perceptohet si e zhytur në abuzime?

Zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki nuk sollën asnjë “surprizë”. Socialistët fituan thellë, ndërsa kandidatët e pavarur dhe opozita e ndarë mbetën shumë pas.

Një rezultat që tregon jo vetëm fuqinë e pushtetit, por edhe dobësinë strukturore dhe morale të opozitës.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, zgjodhi të heshtë pas rezultatit.

Një heshtje që tingëllon si pranim jo vetëm i humbjes, por edhe i krizës së besimit që ka pllakosur në çdo qelizë të opozitës.

Nga ana tjetër, zëra brenda vetë PD-së, si ai i Ervin Salianjit, e kanë quajtur ditën e zgjedhjeve “një ditë të zezë për demokracinë”.

Ai pranoi se fajin nuk e ka vetëm pushteti, por edhe vetë opozita që “ka humbur pasionin, forcën dhe strategjinë për t’u përballur”.

Në të njëjtën linjë, Lefter Maliqi kërkoi dorëheqjen e e drejtuesit Politik të PD-së në Berat, Eno Bozdos dhe reflektim, duke i bërë thirrje drejtuesve të PD-së të hapin rrugë riorganizimit.

Por kjo nuk është hera e parë që dëgjojmë fjalë për “reflektim”.

Ka vite që kjo fjalë është bërë po aq e zbrazët sa premtimet që dikur sollën demokratët në pushtet.

Nëse korrupsioni është kaq i dukshëm dhe i pranuar, pse opozita nuk përfiton?

Sepse në sytë e qytetarëve, ajo nuk përfaqëson më alternativën, por nostalgjinë.

Sepse mes akuzave dhe përçarjeve të brendshme, PD nuk ka ndërtuar besim, nuk ka treguar se është ndryshe nga ajo që kritikon.

Dhe në një vend ku votuesi i zhgënjyer është më shumë i lodhur sesa i zemëruar, mungesa e besimit është më vdekjeprurëse se çdo aferë qeveritare.

Në fund, shqiptarët nuk duan më të dëgjojnë kush është më pak i korruptuar, por kush është më i aftë të ndryshojë sistemin që e prodhon korrupsionin. Derisa opozita të gjejë gjuhën e së ardhmes, e jo të së kaluarës, edhe zgjedhjet e tjera do t’i ketë të humbura./Versus.al

Poll