Live Updates /

Rezoluta për integrimin në BE, bashkon opozitën dhe PS-në, abstenon vetëm një deputet i PD-së

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

5 Postime
15 MINUTA ME PARE

PD dhe PS bashkojnë votat, miratohet rezoluta për integrimin në BE, abstenon vetëm një deputet i PD-së

Rezoluta për integrimin në BE, bashkon opozitën dhe PS-në,
Pamje nga Kuvendi

Në një zhvillim të rrallë politik në Kuvend, mazhoranca dhe opozita kanë votuar së bashku projekt-rezolutën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Dokumenti është miratuar me 114 vota pro dhe 1 abstenim, ndërsa abstenimi ka ardhur nga deputeti Bujar Leskaj.

Rezoluta vjen në një moment tensionesh politike mes PS dhe PD, por për këtë çështje palët kanë arritur dakordësi, duke e cilësuar integrimin europian si prioritet kombëtar.

Ajo parashikon forcimin e bashkëpunimit institucional dhe politik për përshpejtimin e negociatave me BE-në, si dhe rritjen e rolit të Kuvendit në mbikëqyrjen e procesit.

Në dokument theksohet edhe nevoja për dialog më të gjerë politik e shoqëror, me synim krijimin e një konsensusi të qëndrueshëm për reformat dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Rezoluta

Në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neneve 18 dhe 103/1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë;

Në zbatim të nenit 18, pika 1, të Ligjit nr.15/2025 “Për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, të ndryshuar;

Duke rikonfirmuar se anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian përbën objektiv strategjik kombëtar, që udhëheq dhe orienton të gjithë agjendën reformuese të vendit për transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social;

Duke nënvizuar përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë për mbikëqyrjen e procesit të integrimit, forcimin e kontrollit parlamentar dhe garantimin e transparencës;

Duke theksuar se orientimi evropian është zgjedhje e vullnetit të lirë, me rëndësi strategjike mbarëkombëtare, që gëzon mbështetje të gjerë qytetare dhe përfaqëson një angazhim të qëndrueshëm ndaj vlerave themelore të Bashkimit Evropian, demokracisë, shtetit të së drejtës, lirisë, paqes dhe bashkëjetesës, barazisë dhe dinjitetit njerëzor;

Duke pasur parasysh kriteret e Kopenhagës dhe parimin se procesi i anëtarësimit bazohet në meritë, kushte të drejta dhe zbatim real të reformave, në përputhje me standardet demokratike dhe respektimin e të drejtave themelore;

Të vetëdijshëm se Shqipëria ka hapur me shpejtësi të gjithë kapitujt e negocimit dhe është në pritje të miratimit të raportit IBAR;

Duke vlerësuar se procesi i zgjerimit të BE-së po zhvillohet në një kontekst gjeopolitik të ndjeshëm që kërkon riformësim të shpejtë të institucioneve dhe përparim të matshëm në fushat kyçe si, funksionimi demokratik i institucioneve, gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria, prokurimi publik, kontrolli financiar, statistikat, kriteret ekonomike, dhe reforma në administratën publike;

Duke marrë në konsideratë Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025 dhe Raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, miratuar në 5 maj 2026 në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET);

Duke mbajtur parasysh gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025;

Duke theksuar rëndësinë e respektimit të lirive dhe të drejtave themelore, si dhe domosdoshmërinë e garantimit të transparencës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian;

Duke theksuar se integrimi evropian kërkon transformim thelbësor, që përfshin harmonizim të ligjeve në përputhje me standardet evropiane, zbatim të plotë të tyre, rezultate konkrete dhe të matshme, përgjegjësi institucionale dhe gjithëpërfshirje;

Duke marrë në konsideratë rëndësinë e besimit të publikut, garantimin e ndarjes reale të pushteteve, garantimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës, pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe dialogun konstruktiv gjithëpërfshirës politik dhe shoqëror si themeli i një demokracie funksionale, kërkesa thelbësore për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian;

Duke shprehur vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme, strategjike dhe financiare të Bashkimit Evropian për Shqipërinë;

Kuvendi i Shqipërisë angazhohet:

Të forcojë në tërësi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë rolin e tij në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Të ushtrojë në mënyrë të plotë dhe efikase funksionin ligjbërës dhe mbikëqyrës për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke garantuar cilësinë e legjislacionit, përafrimin me acquis të BE-së dhe zbatimin e tij konkret në praktikë.

Të forcojë kontrollin parlamentar ndaj pushtetit ekzekutiv, institucioneve dhe agjencive të pavarura, duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit mes pushteteve, duke rritur transparencën, auditimin dhe llogaridhënien.

Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Opozita angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Të dyja palët angazhohen për forcimin e dialogut politik.

Të thellojë angazhimin e përbashkët me qytetarët, grupet e interesit dhe aktorë të tjerë të shoqërisë, me qëllim njohjen dhe gjithëpërfshirjen në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Të intensifikojë ritmin e reformës zgjedhore në zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të barabarta.

Të japë mbështetje të plotë për institucionet kushtetuese dhe/ose të krijuara me ligj, duke përfshirë dhe garantimin e zbatimit të vendimeve të tyre ligjore.

Të kërkojë përforcimin e përpjekjeve dhe të konsolidojë rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke garantuar mbështetje të plotë për institucionet përkatëse dhe zbatimin e kërkesave të Bashkimit Evropian.

Të kërkojë respektimin e lirisë së shprehjes, garantimin e pluralizimit mediatik, përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së gazetarëve dhe gazetarisë së lirë, duke garantuar një mjedis mediatik të lirë, konkurrues dhe profesional.

Të monitorojë luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, për mbrojtjen e integritetit të proceseve demokratike dhe të interesave strategjike kombëtare.

Të nxisë dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës, për të siguruar konsensus kombëtar mbi prioritetet evropiane.

Të forcojë partneritetin ndërparlamentar me Parlamentin Evropian dhe parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, duke kontribuar aktivisht në diplomacinë parlamentare dhe marrëdhëniet dypalëshe me to.

Të refuzojë çdo nismë, akt apo veprim që devijon nga kursi i qenësishëm i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Këshillit të Ministrave:

Të raportojë në përputhje me kuadrin ligjor, përfshirë plotësimin e piketave përmbyllëse për të gjithë grupkapitujt negociues dhe konkluzionet e konferencave ndërqeveritare.

Të garantojë zbatim të plotë dhe të qëndrueshëm të legjislacionit në përputhje me acquis të BE-së, duke përshpejtuar reformat në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqësor dhe fushat e tjera të Grupkapitullit I “Themelorët”.

Të sigurojë sinergjinë mes instrumenteve të ndryshme financiare të Bashkimit Evropian, shteteve anëtare të tij dhe partnerëve ndërkombëtarë për zhvillim, duke raportuar në mënyrë të posaçme në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mbështetjen e partnerëve për zhvillim për procesin e integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Të garantojë parashikime të dedikuara buxhetore në çdo program buxhetor për zbatimin e reformave kyçe në kuadër të procesit të anëtarësimit, me fokus të veçantë në mbështetjen për institucionet ligjzbatuese.

Të përputhë kuadrin ligjor për prokurimet publike me qëllim forcimin e transparencës dhe konkurrencës në prokurimet publike dhe përdorimin e fondeve të BE-së.

Të përshpejtojë reformën në administratën publike në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian me qëllim rritjen e efikasitetit të saj dhe të zbatojë me përpikëri kriterin e meritës në rekrutime.

Të mbrojë mjedisin dhe zonat e mbrojtura, në përputhje me standardet e BE-së.

Të sigurojë konsultim gjithëpërfshirës me opozitën, shoqërinë civile dhe grupet e interesit për të garantuar një vendimmarrje me bazë sa më të gjerë.

I kërkon të forcojë më tej kapacitetet e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e Traktatit të Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

I kërkon që të intensifikojë një fushatë ndërgjegjësuese mbi Bashkimin Evropian dhe standardet evropiane si nxitëse të transformimit evropian në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

I kërkon të mbështesë më tej pushtetin vendor në forcimin e kapaciteteve të tij, për ta përgatitur për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kuvendi i Shqipërisë rithekson se përparimi në procesin e anëtarësimit duhet të matet mbi bazën e meritës, standardeve demokratike dhe arritjeve të verifikueshme, me qëllim që Shqipëria të ecë me hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian./Versus.al

4 ORE ME PARE

Diskutime për raportin e integrimit në BE, Berisha: Janë trillime, negociatat të bllokuara! PS: Anëtarësimi brenda 2030, i mundshëm

Rezoluta për integrimin në BE, bashkon opozitën dhe PS-në,

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit po mbahen diskutime për raportin e qeverisë dhe të komisionit të Jashtëm të PE lidhur me procesin e integrimit. Pavarësisht debateve, palët janë dakordësuar për një projekt rezolutë të përbashkët që pritet të miratohet pas diskutimeve.

Ndërkohë, opozita kritikoi qeverinë duke pretenduar se negociatat janë bllokuar. Ky pretendim u kundërshtua nga ministri i Jashtëm Ferit Hoxha i cili tha se çdo gjë po ecën sipas parashikimit dhe se është plotësisht e mundur që vendi ynë të jetë antar i BE brenda 2030-ës.

‘’Zyrtarët më të lartë të BE-së kanë theksuar se, nëse ruhet ritmi aktual, ky objektiv i anëtarësimit brenda vitit 2030 është absolutisht i arritshëm. Procesi kryesor është ai i shqyrtimit të raportit të KE-së për piketat e ndërmjetme. Ndryshe nga sa dëgjohet, ky proces nuk është bllokuar e as ndaluar nga shtetet anëtare. Si çdo vend kandidat, Shqipëria nuk është pjesë formale e diskutimeve të brendshme në KE; do të jetë në atë tryezë vetëm kur të jetë anëtare’’- deklaroi Hoxha.

Kryedemokrati Sali Berisha i quajti trillime të gjitha pretendimet e qeverisë të paraqitura nga raportin e integrimit. Në këto kushte ai kërkoi që raporti të tërhiqet menjëherë.

“Keni paraqitur raportin mbi integrimin në BE, i cili nga alfa te omega, është mashtrim dhe vetëm mashtrim. Ky është një akt i rëndë në një moment shumë të rëndësishëm për shqiptarët, ju paraqisni një raport që nuk guxoni ta lexoni dhe vendosni që raporti të mos lexohet që qytetarët të mos njihen me mashtrimet tuaja. Kërkoj të tërhiqet menjëherë raporti. Është fund e krye mashtrime dhe burokraci. Përsa i përket performancës, janë trillime’’- u shpreh Berisha.

Nga ana tjetër, në nisje të seancës u rrëzua kërkesa e bërë nga deputetët e Partisë Demokratike me kryeministrin Edi Rama për projektin ‘’smart city’’. Versus.al

5 ORE ME PARE

''Nuk jam Niko unë'', Peleshi nuk e toleron Manjën: Do flasësh kur të kesh radhën

Rezoluta për integrimin në BE, bashkon opozitën dhe PS-në,

Kryeparlamentari Niko Peleshi gjatë seancës së sotme pati një moment kur i rikujtoi deputetit Ulsi Manja etikën e komunikimit në Kuvend.

Pavarësisht se Manja kërkoi fjalën për procedurë pas Berishës, Peleshi tha se nuk mund t'ja jepte pasi duhej respektuar minutazhi. Manja iu drejtua në emër në mënyrë konfidenciale, por Peleshi ia ktheu prerazi. 

Niko Peleshi: Nuk ka fjalë për procedurë se jemi me minutazh të caktuar. Nuk mundet, jemi në diskutime me minutazh të përcaktuar. Në orën 16:30 duhet të kenë përfunduar të gjithë diskutimet!

Ulsi Manja: O Niko!

Niko Peleshi: Unë nuk jam Niko! Ju lutem! Do të flasësh kur të vijë radha!

Nuk munguan as duartrokitjet e opozitës për këtë përgjigjie të Peleshit. Versus.al

7 ORE ME PARE

Rezoluta për anëtarësim në BE, zbulohet drafti final i dakordësuar nga PS dhe PD

Rezoluta për integrimin në BE, bashkon opozitën dhe PS-në,

Në seancën e sotme plenare pritet të votohet edhe drafti i rezolutës për anëtarësim në Bashkimin Europian. Drafti është dakordësuar mes PD dhe PS dhe rikonfirmon se ky proces është objektiv strategjik kombëtar. 

Dokumenti thekson përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit për mbikëqyrjen e procesit të integrimit dhe garantimin e transparencës.

Në draft shkruhet:

PËR PROCESIN E ANËTARESIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN

Në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neneve 18 dhe 103/1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë;

Në zbatim të nenit 18, pika 1, të Ligjit nr. 15/2025 “Për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, të ndryshuar;

Duke rikonfirmuar se anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian përbën objektiv strategjik kombëtar, që udhëheq dhe orienton të gjithë agjendën reformuese të vendit për transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social;

Duke nënvizuar përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë për mbikëqyrjen e procesit të integrimit, forcimin e kontrollit parlamentar dhe garantimin e transparencës;

Duke theksuar se orientimi evropian është zgjedhje e vullnetit të lirë, me rëndësi strategjike mbarëkombëtare, që gëzon mbështetje të gjerë qytetare dhe përfaqëson një angazhim të qëndrueshëm ndaj vlerave themelore të Bashkimit Evropian, demokracisë, shtetit të së drejtës, lirisë, pages dhe bashkëjetesës, barazisë dhe dinjitetit njerëzor;

Duke pasur parasysh kriteret e Kopenhagës dhe parimin se procesi i antarësimit bazohet në meritë, kushte të drejta dhe zbatim real të reformave, në përputhje me standardet demokratike dhe respektimin e të drejtave themelore;

Të vetëdijshëm se Shqipëria ka hapur me shpejtësi të gjithë kapitujt e negocimit dhe është në pritje të miratimit të raportit IBAR;

Duke vlerësuar se procesi i zgjerimit të BE-së po zhvillohet në një kontekst gjeopolitik të ndjeshëm që kërkon riformësim të shpejtë të institucioneve dhe përparim të matshëm në fushat kyçe si funksionimi demokratik i institucioneve, gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria, prokurimi publik, kontrolli financiar, statistikat, kriteret ekonomike, dhe reforma në administratën publike. Versus.al

8 ORE ME PARE

Kuvendi mblidhet në seancë plenare, pritet interpelancë me Ramën dhe debate për raportin e PE

Rezoluta për integrimin në BE, bashkon opozitën dhe PS-në,
Sot në orën 10:00 Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare.

Në rend dite janë përfshirë disa çështje që pritet të shoqërohen me debate politike dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.

Pritet që në qendër të kësaj seance të jenë interpelancat me kryeministrin Edi Rama dhe katër ministra të qeverisë, si edhe mocioni me debat për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve në Shqipëri.

Një nga pikat kryesore të rendit të ditës është mocioni me debat për problematikat e evidentuara në raportin vjetor të DASH për klimën e investimeve në Shqipëri, si edhe për gjetjet e progresraportit të Komisionit Europian. Versus.al

Poll