
Kreu i qeverisë, Edi Rama mori pjesë në konferencën ku u prezantua projekti “OSHEE Charger” lidhur me karikimin e automjeteve elektrike.
Teksa uroi që inovacioni të vijojë, Rama foli edhe për situatën energjitike në vend duke bërë me dije se brenda vitit të ardhshëm do të nisë pajisja me matës inteligjentë për energjinë elektrike. Sipas tij, kjo do të sjellë minimizimin e humbjeve të energjisë në rrjet.
“Brenda vitit të ardhshëm do kemi fillimin e punës transformuese për matësit e energjisë duke kaluar në sistemin e matësve inteligjentë me një parti të parë prej 350 mijë matësish. Brenda këtij mandati do përmbyllim edhe këtë process që do ta ulë edhe më shumë nivelin e humbjeve teknike në rrjet duke e çuar në mesataren e poshtme të BE. Do të rrisë cilësisht faturimin e çdo konsumatori duke riparuar edhe ato të meta të fundit që ka procesi i faturimit. Kemi nisur punën për të ngritur në Shqipëri një datacenter të fjalës së fundit.
Edhe pse nuk është drejtëpërdrejtë me OSHEE-në por me KESH-in prapë është inovacion që shkon në drejtimin që fola. Kompani e madhe publike ose një sektor strategjik ku përgjegjësia publike në shërbim tanimë është duke u përkthyer në përgjegjësi për projektimin dhe materializimin në kohë të atyre që janë bazat e të ardhmes”- tha Rama.
Ndër të tjera, kryeministri tha se së shpejti do të ketë një projekt strategjik në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë për ta bërë vendin eksportues të energjisë së rinovueshme. Ndërsa tha se brenda këtij mandati synon që Shqipëria të shpallë sovranitetin e plotë energjitik.
“Jemi në një proces ku po ecim edhe me interkonjeksionin, projektin madhor kombëtar që faktikisht do ta realizojmë si pjesë e një partneriteti strategjik me Italinë dhe me Emiratet e Bashkuara dhe që do na japë rëndësi të madhe strategjike për eksportin e energjisë të rinovueshme. Objektivi më i madh strategjik i yni është për ta kthyer Shqipërinë nga një vend që gjetëm në humnerë, në një vend eksportues neto të energjisë elektrike, diçka e paimagjinueshme pak vite më parë.
Brenda këtij mandati të qeverisë ne shpallim sovranitetin e plotë energjitik dhe të mos jemi më të varur nga importi i energjisë dhe luhatjet katastrofike që sjellin ndonjëherë krizat që nuk kanë të bëjnë me ne”- shtoi kryeministri. Versus.al


