Kryedemokrati Sali Berisha ka mbajtur një konferencë për mediat ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të manipulojë opinionin publik duke pretenduar se Komisioni i Venecias ka publikuar më herët një raport mbi pezullimin e një ministri nga ana e gjykatës.
Por mes të tjerash, Berisha foli edhe për hetimet e SPAK ndaj tij për aferën Partizani. Berisha tha se përgjatë karrierës së tij, i vetmi vendim që ka marrë për të favorizuar dikë, ka qenë vendimi për t’i dhuruar një banesë shkrimtarit të ndjerë, Ismail Kadare në Golem.
“Gjithë jetën e tij Sali Berisha nuk kishte marrë kur një vendim nominal për të favorizuar njeri përveçse njëherë. Kam marrë një vendim për Ismail Kadarenë. Kur shtëpia e tij në Gjirokastër u kërkua nga shteti të bëhej muze, pati arsye qeveria vendosi që t’i dhurojë një shtëpi në Golem mos gaboj. Dhe atë e kam bërë me vendim të këshillit të ministrave, me ndërgjegjie të plotë që ai e meritonte pa asnjë diskutim. Nëse shteti i detyrohej kujt, i detyrohej atij për kontributin e jashtëzakonshëm. Ky është i vetmi vendim nominal i karrierës time politike”- u shpreh Berisha. Versus.al
