
Krimi i rëndë i ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Manëz të Durrësit ku 2 të rinj mbetën të vrarë si pasojë e një konflikti të nisur për një kafe në lokal, ka tronditur të gjithë vendin.
Për ngjarjen ka reaguar edhe kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj i cili ka shprehur keqardhjen e tij për situatën ku ndodhet vendi dhe pasigurinë e madhe në rrugë. Duke u shprehur se nuk po e besonte dot motivin e krimit të rëndë, Lapaj shkruan se ndihet sikur po jeton në një ‘’vend imagjinar’’.
‘’2 të rinj. Shumë të rinj. Të dy lëviznin me armë në brez. (nga sa informacion ka deri tani) U vranë për 1 kafe. As nuk i vodhi kush kujt gjë! Thjesht, kamarieri e kishte fikur ekspresin e nuk shërbente në atë orë. I veshën nënat me të zeza. I lanë baballarët me lot në sy. I hidhëruan të afërmit për një dreq kafe të helmatisur! I hapën shoqërisë tonë të stërvuajtur një tjetër plagë. Çfarë ndjesie e kobshme!
Më duket sikur po jetoj në një vend imagjinar! Më duket kaq e pabesueshme! Lutem për familjet e tyre të gjejnë forcë! Lutem për vendin tonë të gjejë rrugën!’’- shkroi ai.
Krime të tilla ngrenë shqetësime për pasigurinë në rrugët e vendit duke parë se rëndomtë pas çdo konflikti dikush rezulton të ketë patur armë me vete. Versus.al







