
Kastriot Ismailaj, i vetmi i dënuar deri tani për skandalin CEZ-DIA, vazhdon betejën me drejtësinë, pavarësisht se ish-presidenti Ilir Meta është gjithashtu i pandehur në këtë çështje.
Pas humbjes në Gjykatën e Lartë, e cila një vit më parë refuzoi rekursin e tij, Ismailaj ka kërkuar pafajësi në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse tashmë ka përfunduar dënimin dhe është liruar nga burgu.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që çështja të shqyrtohet në seancë plenare më 19 qershor, bazuar në dokumentet e dorëzuara. Ismailaj është dënuar me 11 vite burg për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash, ndërsa i janë konfiskuar rreth 4.5 milionë euro nga 5 llogari bankare të ndryshme.
Ai u arrestua më 12 maj 2015, pasi Prokuroria e Tiranës e akuzoi për përvetësimin e 6.5 milionë dollarëve nga kontrata CEZ-DIA, për një shërbim që nuk e ka kryer. Në një tjetër hetim, SPAK e konsideron Kastriot Ismailajn si një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Ilir Metës në këtë aferë./Versus.al







