
Kreu i subjektit politik “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, u rrëzua sot nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) në lidhje me ankimimin e tij, ku kërkonte që mandati i fituar më 11 maj nga koalicioni që ai drejton, t’i jepte atij personalisht.
Pas vendimit, Lapaj reagoi në Facebook duke theksuar dy standarde të ndryshme nga ana e KAS, duke e krahasuar rastin e tij me atë të Tom Doshit.
Ai vë në dukje se PSD-së i janë pranuar dorëheqjet dhe mandati ka kaluar te lista e hapur, ndërsa për “Nisma Shqipëria Bëhet” kjo nuk është pranuar, pasi “për ne zbatohet një ligj tjetër, ne jemi Gulag”.
Lapaj shton se ndihet krenar që garoi në listën e hapur dhe shpreh besimin se një ditë Shqipëria do të ketë garë të vërtetë, ashtu siç kërkojnë.
“Pra, PSD-së i pranohen dorëheqjet dhe mandati kalon te lista e hapur. Neve jo që jo! Për ne zbatohet tjetër ligj se ne jemi Gulag. Jam aq shumë krenar që luftoj për garën e hapur! Do vijë dita e asaj që po kërkojmë. Një ditë ky vend do ketë garë”, shkruan Lapaj./Versus.al







