POLITIKË /

KAS rrëzon Celibashin/ I heq mandatin kushërirës së Lapajt, e merr e para e listës së mbyllur

Pritet që çështja të kalojë për vendim përfundimtar në Kolegjin Zgjedhor.

Shkruar nga Versus

KAS rrëzon Celibashin/ I heq mandatin kushërirës së Lapajt,

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur t’i heqë mandatin Kleana Xhuvelit, kushërirës së Adriatik Lapajt, duke rrëzuar kështu vendimin e mëparshëm të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi.

Vendimi u mor të mërkurën, pas shqyrtimit të ankimimit të bërë nga subjekti “Shqipëria Bëhet”, i cili kërkonte që KAS të njihte djegien e kandidatëve të listës së mbyllur dhe t’ia jepte mandatin Adriatik Lapajt, si kandidati më i votuar në listën e hapur.

Megjithatë, KAS vendosi që mandati t’i kalojë jo Lapajt, por Ana Dajkos, e para në listën e mbyllur të Tiranës, e cila është edhe nëna e kandidatit të “Shqipëria Bëhet” në qarkun e Vlorës, Vasil Dajko.

Komisioni i Ankesave deklaroi se dorëheqjet në bllok nga kandidimi apo mandati i listës së mbyllur nga koalicioni 'Shqipëria bëhet' të dorëzuar më 11 maj janë ligjërisht të pavlefshme, dhe se Celibashi nuk duhej t’i pranonte.

"Akti i dorëheqjes nga kandidmi i bërë ditën e zgjedhjeve nga të gjithë kandidatët e listës së mbyllur, është një akt nul. I pavlefshëm dhe nuk mund të merret në konsideratë. Edhe subjekti nuk mund të pretendojë që KQZ të miratojë një akt që është nul. Heqja dorë nga kandidimi nënkupton në vetvete prishjen e listës së kandidimit të atij subjekti, që pasojë ligjore ka ndalimin e konkurrimit të atij subjekti në zgjedhje. Cka në këtë moment që është zgjedhur të bëhet si strategji politike, është i pamundur si proces", deklaroi KAS. 

Problemet brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” nisën pas refuzimit të Zeqir Kordhonit, daja i Endri Shabanit, për t’u tërhequr nga gara.

Kordhoni i shkroi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar që të marrë mandatin e deputetit në rast se i vjen radha, edhe pse ai pozicionohej i nënti në listën e mbyllur të koalicionit.

Kjo situatë solli përplasje në distancë mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit. Lapaj kërkon mandatin duke pretenduar se ka marrë në Tiranë rreth 6,500 vota, ndërsa Shabani pretendon se ka marrë vetëm 2,900 vota./Versus.al

 

 

Poll