
Kreu i “Nismës Thurrje”, Endrit Shabani, ka reaguar për herë të parë pas zhvillimeve të fundit që sollën kalimin e mandatit të deputetit tek Kleana Xhuveli, kushërira e Adriatik Lapajt.
Përmes një postimi në “Facebook”, Shabani ndau versionin e tij të ngjarjeve që ndodhën larg syve të publikut dhe mediave.
Ai konfirmoi se personi më i afërt me të ka dhënë dorëheqjen nga mandati i fituar në zgjedhjet e 11 majit.
Si rrjedhojë, vendin në Kuvend e mori Kleana Xhuveli, e cila ndodhej e katërta në listën e koalicionit “Shqipëria Bëhet” në Tiranë.
Reagimi i Endrit Shabanit:
U mbars mali dhe...Njëmijë akuza.
Ndërkohë sot, njeriu im më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Kleana Xhuveli. Kleana nuk është daja im po motra e Adriatik Lapajt!
Deri dje na akuzonte do bëheshim vota e 84 e Ramës.
Sot që mori mandatin për motrën, Adriatiku na thotë që i qenka lutur Rama për bashkëqeverisje.
Medemek Rama që mezi e përzuri LSI-në kur kishte 74, po i lutet Adriatikut fiks tani që ka 83 dhe ka gllabëruar çdo pushtet!
Me sa duket, tullumbaci i 71 mandateve që Adriatiku përbetohej se do merrte, ende nuk qenka shfryrë në kokën e tij nga gjilpëra e realitetit të 11 majit, ku pa votat tona do kishte mbetur edhe e motra pa mandat.
Nejse, kjo ishte kostoja krejt e panevojshme që ne të Nismës morëm për ndershmërinë dhe seriozitetin tonë në koalicion me një politikan të ri që më mirë se sa ne, njeh të gjitha metodat e vjetra.
Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet.
Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat.
Kleana Xhuveli mori sot zyrtarisht mandatin e deputetes në Kuvend. 27-vjeçarja, juriste me profesion, deklaroi për mediat se nuk ka synim të mbajë mandatin për vete, por do të angazhohet që ai t’i kalojë Adriatik Lapajt, të cilin e cilësoi si personin që e meriton më shumë.
Xhuveli gjithashtu sqaroi edhe raportin e saj familjar me Lapajn, duke theksuar se ai është kushëriri i saj dhe jo vëllai, siç është raportuar në disa media./Versus.al







