
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ishte i pari që nisi punën pas konstituimit të komisioneve në Kuvend. Komisioni u drejtua nga ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i cili kërkoi që të miratohej kalendari i punimeve për 3 javët e ardhshme.
Kjo gjë hasi menjëherë kundërshti nga opozita. Deputeti Oerd Bylykbashi kërkoi që për kalendarin e punimeve duhej që të ishte bërë konsultimi me opozitën, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur. Nga ana tjetër, Manja e kundërshtoi pretendimin e Bylykbashit duke i thënë se rendi i ditës është njoftuar që ditën e djeshme prej tij.
Pjesë nga diskutimi:
Bylykbashi: Gjëja e parë që ka bërë ky komision është shkelja e nenit 33 të rregullores që kërkon që kalendari të diskutohet me kryesinë e komisionit, gjë që nuk ka ndodhur. Është detyrim të paktën për konsultim, pavarësisht se çfarë ka vendosur konferenca e kryetarëve. Po flasim për një kalendar që ka çështje raportimi. Por mundet të kishim bërë diçka më shumë, legjislacion që mund të jetë edhe delikat.
Manja: Neni 33 që flet për organizimin e punës së komisionit, është zbatuar në mënyrë korrekte nga ana ime. Zbatimi i këtij neni është i dyanshëm, e kam njoftuar që dje rendin e ditës dhe rrugët e komunikimit i keni patur në dispozicion. Mund të më kishit kontaktuar nëse kishit diçka për të shtuar apo hequr nga rendi i ditës.
Bylykbashi: Nuk është unë mendoj, por unë lexoj. Këtu thuhet se në këshillim me zëvendës kryetarët, propozojmë… Rregullorja është ajo që na mban bashkë këtu. Duhet ta propozonit pas konsultimit, nuk e keni bërë. Versus.al







