POLITIKË /

Kritikat e Ramës ndaj gjyqtarit, Shoqata e Gjyqtarëve: Sulme në kufijtë e veprës penale, mentalitet i regjimit të kaluar

Në reagimin e bërë u kërkohet edhe partnerëve ndërkombëtarë që të mbështesin sistemin e drejtësisë si dhe KLGJ-së që të mbajë një qëndrim më të qartë në mbrojtje të gjyqtarëve.

Shkruar nga Versus
Kritikat e Ramës ndaj gjyqtarit, Shoqata e Gjyqtarëve: Sulme në
Edi Rama dhe gjyqtari Marko Boshku

Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme sulmoi një tjetër gjyqtar të vendit, Marko Boshkun mbi vendimin e marrë prej tij për të rikthyer në detyrë ish-kreun e AMP-së në Vlorë Glodian Ahmetaj i cili rezultonte i përfshirë në një ndërtim pa leje në Vlorë.

Për këtë sulm, ka reaguar shoqata kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë e cila ka shprehur revoltën ndaj reagimeve të kryeministrit Edi Rama kundrejt gjyqtarit Boshku. Duke i cilësuar këto sulme të Ramës si të paprecedenta, shoqata i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor që të ketë një qëndrim më të prerë në mbrojtje të gjyqtarëve.

Shoqata thotë se sulmet që Rama po bën i përkasin një mentaliteti të regjimit të kaluar, ndërsa thotë se këto reagime të kryeministrit mund të konsiderohen vepër penale.

Deklarata e plotë:

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë konstaton e revoltuar se sërish kreu i ekzekutivit shqiptar, në një mënyrë tërësish të paprecedentë dhe të papranueshme, ka sulmuar një tjetër gjyqtar të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, z. Marko Boshku. Së pari, Shoqata i shpreh mbështetjen e plotë gjyqtarit Boshku, si një gjyqtar me integritet dhe model në punën e tij. Së dyti, ajo nxit Këshillin e Lartë Gjyqësor që të marrë një pozicion më të qartë në mbrojtje të pushtetit gjyqësor në tërësi dhe gjyqtarëve të caktuar në veçanti. Së treti, i bën thirrje të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë për të mbështetur pa rezerva sistemin e reformuar të drejtësisë, i cili është më së pari produkt i ndihmës së tyre të pakursyer, si dhe të bëjnë të mundur që zëri i tyre në këtë drejtim të dëgjohet nga ata që u ka humbur kjo shqisë në raport me aktorët e brendshëm. Së katërti, i kujton përfaqësuesit më të lartë të pushtetit ekzekutiv se çdo deklaratë denigruese në drejtim të gjyqtarëve përbën ndërhyrje në veprimtarinë e tyre dhe se, referuar nenit 145, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një veprim i tillë passjell përgjegjësi sipas ligjit.

Shoqata u garanton të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë se ajo nuk do të tolerojë asnjë veprim, shfaqje apo koment fyes e poshtërues të kryer nga funksionarë të lartë shtetërorë, të kujtdo pushteti që ata t’i përkasin. Kjo Shoqatë nuk do të ndalet vetëm në bërjen e deklaratave që dënojnë sjellje të tilla apo që shprehin solidaritet me gjyqtarët por, sipas rastit, do të ushtrojë çdo mjet tjetër ligjor. Postime dhe komente si ai që është bërë ndaj gjyqtarit Marko Boshku janë në kufijtë e veprës penale dhe, si të tilla, do të monitorohen nga kjo Shoqatë, duke vendosur dhe hapat që do të ndërmerren në çdo rast. Sulmi ndaj gjyqtarëve të veçantë përbën sulm ndaj të gjithë pushtetit gjyqësor dhe kjo, pa mëdyshje, është jo vetëm një tentativë për uzurpimin të këtij pushteti por mund të ketë pasoja në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Parimi i ndarjes së pushteteve është një nga tiparet që e dallon një shtet të së drejtës nga një shtet diktatorial dhe kjo ndarje pushtetesh fillon nga kultura e pranimit të ekzistencës së sferave të kompetencave që nuk të përkasin. Sulmi ndaj një pushteti tjetër jo vetëm që e minon këtë parim gurthemelës të Kushtetutës sonë por është shprehje e një mentaliteti që i përket një regjimi tjetër.

Pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit ku u konfirmua si kryeministër për mandatin e katërt qeverisës, kryeministri Edi Rama ka nisur me kritika ndaj sistemit të drejtësisë. Fillimisht ndaj një prokuroreje e cila sipas tij nuk kishte nisur hetimet për ndërtim pa leje në Theth e më pas ndaj një gjyqtarëve Balliu për vendimin në favor të një biznesi, Demirit për një projekt për zhvillim të pronës publike dhe Boshkut për rikthimin në detyrë të ish-kreut të AMP-së në Vlorë. Versus.al

Poll