Siç dhe duket kundërshtimet brenda Partisë Demokratike nëse Sali Berisha do të jetë kryeministër i ardhshëm nëse kjo forcë politike fiton zgjedhjet e 11 majit kanë filluar të shfaqen që tani.
Belind Këlliçi, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Tiranë për zgjedhjet e 11 majit, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me mënyrën se si do të zgjidhet kreu i ardhshëm i qeverisë nëse PD fiton zgjedhjet.
Sipas Këlliçit, emri i kryeministrit nuk do të vijë si vendim nga lart, por do t’i nënshtrohet një referendumi brenda partisë, duke i dhënë anëtarësisë fjalën e fundit në këtë proces vendimmarrës.
Teksa fliste për News/24 drejtuesi politik i PD për Tiranën, la të kuptohet se nuk është e sigurtë që kryeministri i ardhshëm nëse kjo forcë politike fiton zgjedhjet do të jetë Sali Berisha.
“Berisha e ka thënë se do ketë referendum nëse PD fiton zgjedhjet. E ka thënë prej një viti. Berisha e mban fjalën. Fokusi është këtu. Nuk i ka hyrë kësaj gare Berisha dhe PD për pushtetin personal të kujtdo, qoftë edhe Sali Berishës. Është njeriu më i arrirë në politikën shqiptare sot. Ka qenë president kryeministër, kryetar i opozitës. Sali Berisha e ka vullnetin, po e tregon çdo ditë, është aktiv në disa mitingje brenda ditësh, në dhjetëra takime me qytetarë, konferenca ndërkombëtare, takime me të huaj, intervista. Berisha nuk ka hyrë në betejë për ambicie për ambicie, personale, as për karrige as për pushtet. I ka pasur të gjitha”, tha Këlliçi.
Por drejtuesit politik i PD-së për qarkun e Fierit, Gazment Bardhi dhe Jozefina Topali të ftuar në emisionin ‘Opinion’ nuk janë në një mendje me Këlliçin.
I pyetur nëse Berisha do të jetë kryeministër në rast se demokratët fitojnë zgjedhjet e 11 majit, Bardhi u shpreh se këtë nuk e cakton as ai dhe askush nga kolegët e tij duke shtuar se kandidati i tyre për kryeministër është kryetari i partisë dhe s’ka asnjë diskutim.
‘Së pari, këtë nuk e caktoj as unë, as askush prej kolegëve të mi. Kandidati ynë për kryeministër është kryetari i partisë, kryetari i aleancës dhe s’ka asnjë diskutim.’ u shpreh Bardhi.
Ndërsa Topalli u shpreh se Berisha do të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë sepse po shkruan një histori të re.
‘Dhe zoti Berisha do të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë pas 11 Majit, sepse në fakt ai po shkruan një histori të re. Po tregon ashtu siç e quante një ish-ambasador amerikan që është një fuqi e natyrës që po mobilizon energjinë, po jep vrull takimeve të jashtëzakonshme që po bëhen në Shqipëri.’ tha Topalli./Versus.al








