Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të martë në dy seanca plenare, pak ditë pas konstituimit të legjislaturës së re dhe zgjedhjes së Niko Peleshit në postin e kryetarit të Kuvendit.
Kuvend i Shqipërisë mblidhet sot për të zhvilluar dy seanca plenare pas konstituimit të legjislaturës së XI-të me kryeparlamentar Niko Peleshin. Në vendimin e firmosur nga ky i fundit, është përcaktuar që seanca e parë të mbahet në orën 10:00 ndërsa e dyta në orën 17:00.
Seanca e paradites do të ketë në rend dite votimin e zëvendës kryetarëve të Kuvendit, sekretariatit teknik dhe Byrosë së Kuvendit. Ndërsa në seancën e pasdites është përcaktuar përzgjedhja e kryesive të komisioneve të përhershme parlamentare.
Të dyja këto pika mund të konsiderohen thjesht proceduriale duke qenë se mazhoranca ka votat e nevojshme edhe për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit për komisionet parlamentare. Ditën e djeshme pas mbledhjes së krerëve të grupeve parlamentare, kryetari i grupit të PD, Gazment Bardhi tha se një lëvizje e tillë e Ramës konfirmon edhe më shumë autoritarizmin ku ndodhet vendi.
Sipas mazhorancës, formatimi komisioneve të përhershme parlamentare nga 8 në 11 është një hap që reflekton fokusimin e punës së Kuvendit tek objektivi kombëtar i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky propozim kundërshtohet nga opozita, e cila e konsideron shkelje të rregullores së Kuvendit dhe përpjekje për t’i ulur më shumë zërin në parlament. Versus.al







