Kandidati i pavarur për bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj ka sqaruar disa prej fotove ku shfaqet me kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e shkarkuar, Erion Veliaj vite më parë.
Në foton me Ramën, Binaj sqaron se bëhej fjalë për një skeç imitimi gjatë një eventi që mbante FRESHi në vitin 2013.
“Kjo foto (fotoja me Edi Ramën) është shkrepur në një aktivitet të FRESH. Në atë periudhë, thonin që Rama ishte e vetmja zgjidhje që mund ta shpëtonte vendin, në 2013. Duke qenë se e imitoja, bëra një skeç dhe në fund bëra një lidhje me daljen e parë në Fiks Fare, që të më përzinte më dha një mandarinë, e më pas kur e kam takuar sërish i dhash një portokall”.
Ndërsa për foton me Veliajn, Binaj tha se ishte kontaktuar nga një zonjë që merrej me organizimin e mbledhjes së ushqimeve për moshën e tretë dhe e kishte ftuar të bënte një takim me ta. Në atë moment teksa u shërbente të moshuarve, Binaj tha se dëgjoi një zë pas tij që i thoshte fotografit të shkrepte një foto shpejt dhe rezultoi që ky person ishte Erion Veliaj.
“(Teksa i referohet fotos me Erion Veliajn) Më merr një zonjë në telefon dhe më thotë që punon tek zyra e pritjes së moshës së tretë… ne organizojmë mbledhim ushqime dhe më fton të bëjmë një takim me ta. Shkoj atje takoj pleq, gëzimi madh, përqafime, njëri prej tyre më ngjasonte me gjyshin. Teksa i shërbeja pleqve shoh një hije që vlen shpejt, e thotë “Lal shkrepe shpejt”, dhe nuk dija si të reagoja. Nuk e dija që ishte aktivitet i Veliajt, çfarë duhet të thoja, duhet t’i thoja pleqve që hiqni çapën e bukës se erdhi ky. Veliaj në atë kohë nuk ka qenë kështu , që nga ajo kohë ne nuk kemi qenë më bashkë”, u shpreh Binaj. Versus.al







