Kreu i lëvizjes Nisma Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, pas hapjes së fushatës elektorale mbrëmë në Vlorë, vijon turin zgjedhor në Korçë, nga ku ka shpallur një sërë propozimesh që synojnë ndryshime rrënjësore në sistemin ekonomik dhe politik të vendit. Në një takim me qytetarët, ai deklaroi se bizneset me xhiro deri në 200 milionë lekë nuk do të taksohen, ndërsa taksimi do të zhvendoset te biznesi i madh.
“Ne duam të krijojmë shtresën e mesme në Shqipëri. Do të heqim taksidarët dhe do të formalizojmë sektorë si bujqësia, peshkimi dhe bletaria. Do të ketë subvencione për fermerët,” u shpreh Lapaj.
Ai theksoi se do të shkojnë 500 milionë euro nga oligarkët drejt fermerëve dhe se është koha për të “çarë sistemin” politik. “Është koha që të votoni ndryshimin. Kush ka një biznes dhe ka xhiro deri 200 mln, nuk ka taksim. Ne taksimin do ta marrim tek biznesi i madh. Ne duam të krijojmë shtresën e mesme në Shqipëri. Ne do heqim taksidarët. Do formalizojmë bujqësinë, peshkimin, bletët dhe do japim subvencione. Do i heqim 500 milionë euro oligarkëve dhe do ua japim fermerëve. Është shumë e rëndësishme të çahet sistemi." - tha Lapaj
Ai gjithashtu bëri thirrje për rritjen e buxhetit për arsimin në 7% të PBB-së, si një masë për të përmirësuar sistemin arsimor në vend.
Ai ka shpjeguar se kjo nuk është një betejë për karrierë personale, por një përpjekje për të përballuar sfidat dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një Shqipërie demokratike. Lapaj kërkoi miratimin e ligjit për referendume dhe depolitizimin e administratës publike, duke e konsideruar si një domosdoshmëri për të siguruar që populli të ketë fjalën e fundit.








