
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj pretendimeve që qarkulluan në rrjetet sociale për dëmtimin apo shkatërrimin e Banjave Termale të Bënjës, duke i cilësuar ato si një fushatë dezinformimi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama deklaroi se gjatë 24 orëve të fundit është përhapur një “raketë digjitale”, e cila sipas tij është amplifikuar nga algoritmet dhe nga “duar të huaja”, duke e krahasuar me raste të mëparshme të lajmeve virale.
Ai publikoi gjithashtu një video nga Banjat Termale të Bënjës, ku shihen vaskat e mbushura me ujë dhe vizitorë që po i përdorin normalisht, duke theksuar se gjendja në terren është e paprekur.
“Kush do të vërtetën e ka në këtë video”, shkruan kryeministri në reagimin e tij.
Zona e Bënjës ndodhet në proces rikualifikimi përmes një projekti të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili parashikon përmirësim të infrastrukturës, aksesit dhe hapësirave turistike në këtë destinacion të njohur në jug të vendit.

