
Kryetari i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka depozituar sot (4 gusht) një padi në Kolegjin Zgjedhor kundër vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), që e la jashtë Kuvendit pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në qarkun e Tiranës.
Lapaj kërkon njohjen e mandatit si deputet, duke pretenduar se ai është fituesi i listës së hapur në bazë të votave preferenciale të qytetarëve.
Ai kundërshton gjithashtu vendimin e KQZ-së dhe të KAS-it për të mos e njohur këtë fitore, duke kërkuar që të mos quhen të vlefshme revokimet e dorëheqjeve të bëra më 15 dhe 17 korrik nga Zeqir Kordhoni (daja i Endri Shabanit) dhe Kleana Xhuveli (kushërira e Lapajt).
Vendimi i KAS-it i datës 30 korrik i dha mandatin e vetëm të fituar nga 'Nisma Shqipëria Bëhet' në Tiranë, Anës Dajko, e para në listën e mbyllur të këtij koalicioni.
Më herët, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, më 23 korrik, ia kishte dhënë mandatin Kleana Xhuvelit, e renditur e katërta në listë, pas dorëheqjes së kandidatëve paraardhës.
KAS e rrëzoi këtë vendim, duke argumentuar se dorëheqjet e dorëzuara më 11 maj nga të gjithë kandidatët e listës së mbyllur janë ligjërisht të pavlefshme dhe nuk duhet të ishin pranuar.
Sipas këtij interpretimi, as Kordhoni dhe as Xhuveli nuk përfitojnë mandatin, duke e lënë jashtë edhe Lapajn, i cili mbështetet te votat preferenciale.
Tashmë, është Kolegji Zgjedhor që do të vendosë përfundimisht se kush do të jetë përfaqësuesi i vetëm i NSHB-së në Kuvend për qarkun e Tiranës./Versus.al







