
“Lëvizja Bashkë”, organizoi protestë pasditen e sotme gjatë kohës që në kuvend zhvillohej seanca plenare.
Arlind Qori deklaroi se qytetarët duhet të bashkohen për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës, dhe sipas tij për të bërë një shtet të drejtë dhe demokratik.
“A mund ta përfytyrojmë Shqipërinë si një vend, ku personat me aftësi ndryshe, nuk marrin lëmoshë 10 mijë lekë nga shteti, por integrohen tërësisht në jetën ekonomike dhe sociale të vendit, a mund ta përfytyrojmë Shqipërinë, si një vend ku nuk duhet 100-150 vite jetë ku të paguhej kredia për shtëpinë, a mund ta përfytyrojmë Shqipërinë, si një vend ku lulëzon e zhvillohet sporti, shkenca, arti, filozofia, ku demokracia nuk është pallavër, por realitet konkret që ndërtohet përditë nga qytetarë aktivë nga vendi ynë. Përfytyrimi ynë është i rrezikshëm për ata që kanë pushtetin politik dhe monopolet ekonomike”, tha Qori.
Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, u shpreh se në vendin tonë po krijohen monopole ekonomike gjë e cila dëmton qytetarët.
"Ata e dinë më mirë se ne, se përfytyrimi ynë është realiteti i nesërm. Ky përfytyrim mund të bëhet realitet, jo me sytë nga qielli, jo duke ëndërruar delta force që do na shpëtojnë si vend, por duke pasur më shumë besim te njëri-tjetri, duke u bashkuar të gjithë si një grusht, për t’i përzënë zuzarët nga qeverisja dhe për t’i hapur shtegut, ndërtimit të një shteti të drejtë, demokratik, social, që i mundëson qytetarëve të vet të jetojnë me dinjitet", deklaroi Arlind Qori.
Arlid Qori tha se në Shqipëri një qytetari i duhet të punojë gjithë jetën për të paguar kredinë e shtëpisë, pasi gjendja ekonomike e vendit është e dobët./Versus.al

