
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes një postimi në rrjete sociale lidhur me lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga biznese të ndryshme.
“Çuna, ka ardhur koha për t’u tërhequr matanë kufirit të komunitetit dhe për të jetuar me biznes, pa penguar të tjerët të jetojnë në hapësirat e përbashkëta komunitare”, shkruan Rama, duke i bërë thirrje për reflektim dhe respektim të ligjit.
Kryeministri gjithashtu shprehu mirënjohje për strukturat që po angazhohen në çmontimin dhe lirimin e këtyre hapësirave, duke shtuar: “Respekte për çmontimin”.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka nisur në shkallë të gjerë në të gjithë vendin, me iniciativën dhe urdhrin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama.
Kryeministri u ka bërë thirrje të gjithë bizneseve dhe individëve që kanë zënë hapësira publike pa të drejtë, që t’i lirojnë ato menjëherë dhe vullnetarisht. Ai paralajmëroi se çdo tentativë për të penguar aksionin do të përballet me forcën e ligjit.
Ky aksion është pjesë e një fushate të gjerë për rikthimin e qyteteve te qytetarët, duke garantuar përdorimin e hapësirave të përbashkëta nga komuniteti dhe jo nga interesat private./ Versus.al







