Pasi Blendi Fevziu në hyrje të emisionit “Opinion”, bëri me dije se Artan Lame është akoma në jetë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehu lutjet e tij dhe tha se ish-kreu i Kadastrës ka kaluar një ndërhyrje shumë të vështirë.
Më pas, ai u ndal te largimi i tij nga detyra në vitin 2023 dhe tha se ndodhi për shkak të gjirit të Gjipesë. Sipas Berishës, Lame nuk pranoi të firmoste grabitjen e 225 mijë metrave katrorë tokë, gjë të cilën ia atribuon kryeministrit Rama.
Sali Berisha: Lutjet e mia janë që Artan Lame ta kapërcejë këtë kohë.
Blendi Fevziu: Ju jeni kardiolog vetë dhe e dini sa e vështirë është. Besoj ai ka kryer një operacion shumë të vështirë.
Sali Berisha: E vështirë sigurisht. Ai ka pasur një ndërhyrje shumë të rëndë, por t’i lutemi Zotit ta ndihmojë ta kapërcejë. U largua nga detyra 2 vite më parë.
Blendi Fevziu: Jo, është larguar në 2023 pas zgjedhjeve.
Sali Berisha: Arsyen pse u largua do ta them këtu. Ai u largua nga gjiri i Gjipesë.
Blendi Fevziu: Si u largua nga gjiri i Gjipesë?
Sali Berisha: Ai nuk pranoi të firmosë grabitjet e 225 mijë metra katrorë tokë nga Edi Rama tek Manastiri i Skutarasë.







