POLITIKË /

“Mbi 56% më shumë pasagjerë në Rinas”, Rama: Paratë që shpenzojnë, nuk u shkojnë oligarkëve siç thonë kalorësit e vrerosur

Krahas shifrave të publikuara, Rama tha se këtë vit janë risi turistët nga Japonia, Zelanda e Re dhe Australia.

Shkruar nga Versus
“Mbi 56% më shumë pasagjerë në Rinas”, Rama:
Kryeministri Edi Rama

Mbi 56% më shumë udhëtarë kanë hyrë në vend nga aeroporti i Rinasit gjatë periudhës janar-gusht. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një postim të publikuar në rrjetet sociale ku pretendon se gjatë 8 muajve, vetëm nga aeroporti i Rinasit kanë hyrë në vend mbi 7.2 milionë pasagjerë.

Ai thotë se gushti i këtij viti ka shënuar mbi 1 mln pasagjerë më shumë sesa gushti i vitit të kaluar ndërsa cilëson risi mijëra vizitorë nga Japonia dhe Zelanda e Re e Kanadaja.

“SHQIPËRIA NUK NDALET në rritjen e numrit të turistëve dhe Rinasi në gusht tejkaloi çdo parashikim optimist, me 1 milionë e 251.467 pasagjerë ose 368.456 (41%) më shumë se sa gushti i shkuar. Bilanci Janar-Gusht 2024 arrin në 7 milionë e 233.711 pasagjerë që kanë hyrë vetëm në Rinas, ku në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar numri i tyre ishte 4 milionë e 606.805. Ky bilanc flet për 56% rritje në vitin aktual. Risia e këtij viti janë afro 4 mijë pasagjerë nga Japonia, rreth 4 mijë të tjerë nga Zelanda e Re, pothuajse 20 mijë nga Australia dhe 35 mijë nga Kanadaja”- shkruan Rama.

Duke mos u mjaftuar me publikimin e shfirave, Rama e ka pasur edhe një koment për “kritikët” duke thënë se shpenzimet që këta vizitorë bëjnë gjatë udhëtimit në vend, derdhen si të ardhura në buxhetin e shtetit.

“Ata që komentojnë ç’na duhen turistët, duhet të llogarisin se të gjithë këta miliona njerëz shpenzojnë në Shqipëri para për të fjetur, për të ngrënë, për të udhëtuar, për të blerë dhurata dhe të gjitha këto para nuk u shkojnë disa “oligarkëve”, siç i bien shkurt disa kalorës të vrerosur të luftës me qeverinë, po derdhen në arkën e buxheteve familjare të dhjetëra mijëra dhomave të dhëna me qera, të mijëra strukturave të mikpritjes në të katër anët e Shqipërisë, të mijëra e mijëra njësive të shërbimit e bizneseve të vogla. Patjetër që një pjesë e tyre shkojnë edhe në formë taksash në arkën e buxhetit të shtetit për investime të mëtejshme e për pagat e rritura ndjeshëm, e jo padashje qeveria nuk po ndërhyn ende për të taksuar si kudo në Europë volumin e madh në rritje të dhomave të dhëna me qera, sepse ne duam që fillimisht të gjithë shqiptarët të prekin jo vetëm të mirat e këtij ndryshimi epokal në sektorin e turizmit, po edhe të kuptojnë me fakte se sa shumë mundësi akoma ka në Shqipërinë Turistike si për ata që banojnë këtu, si për ata që ngurrojnë akoma të kthehen, e si për ata që e kanë ndarë mendjen të mos kthehen por kanë një kohë të artë për të investuar në Shqipëri kursimet e tyre”- përfundon Rama në postimin e tij.

Gjatë pushimeve që bëri këtë sezon veror në Dhërmi, kryeministri Edi Rama vazhdimisht publikoi video në rrjetet sociale duke pretenduar se rivalët politikë të opozitës po përpiqeshin të “nxinin” sezonin turistik të vendit pavarësisht numrit të madh të turistëve që sipas tij kanë hyrë në Shqipëri. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: