POLITIKË /

"Mbyllim burgjet e komunizmit", Manja për pr/buxhetin 2025: Sisteme antidronë dhe paraburgim i ri në Kukës

Shkruar nga Versus

"Mbyllim burgjet e komunizmit", Manja për pr/buxhetin 2025:

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja raportoi sot në komisionin e Ligjeve mbi projektbuxhetin e vitit 2025 nga i cili dikasterit që drejton do t’i akordohen 14.3 miliardë lekë. Teksa foli për ambiente të reja paraburgimi, Manja njoftoi gjithashtu se do të mbyllen burgjet e ndërtuara në kohën e komunizmit, si ato në Tepelenë, Burrel dhe “302”-shi tek Mine Peza në Tiranë.

Në total, 56% të buxhetit të ministrisë së Drejtësisë, pritet ta zërë program i burgjeve. Ministri bëri me dije se së shpejti do të nisë ndërtimi i një paraburgimi të ri në Kukës ku do të krijohet edhe mundësia që të dënuarit të vuajnë dënimin.

“Fondet janë marrë me Aktin Normativ të nëntorit dhe sot që flasim për paraburgimin e Kukësit, çështje orësh që Drejtoria e Burgjeve do ta hedhë në sistem për t’iu nënshtruar procedurave të prokurimit publik. Paraburgimi i ri në Kukës do të ofrojë kushte shumë të mira, do t’i shërbejë jo vetëm zonës, por edhe për Kosovën. Me ndërtimin e paraburgimit të Kukësit dhe njësisë së të dënuarve, do të krijohet mundësia që të dënuarit ta vuajnë dënimin edhe në Kukës. Do t’i ofrojmë mundësinë në përputhje me ligjin ta vuajnë dënimin afër shtëpive”- tha ministri Manja.

Ndërsa mes të tjerash, bëri me dije se gjatë vitit të ardhshëm shpenzimet e ministrisë përmbajnë edhe instalimin e sistemeve antidronë në disa prej burgjeve të sigurisë së lartë në vend, duke patur parasysh rastet e fundit, kur me anë të dronëve janë futur sende të paligjshme dhe drogë në burgje.

“Sistemi antidron, ka qenë mbi tavanët buxhetore. Do të instalohet sistemi antidronë në burgjet e sigurisë së lartë, burgu 303, burgu i Peqinit, Shkodra, Korça, Burreli dhe Fushë-Kruja. Është i domosdoshëm sistemi antidron”- tha Manja.

Gjithashtu për vitin e ardhshëm pritet të nisë ndërtimi i Institutit të ri të të miturve në Tiranë për të cilin tha se do të jetë i pari në rajon për llojin e vetë. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: