
Gjatë komunikimit me qytetarët në rrjetin social ‘facebook”, kryeministri Edi Rama është pyetur edhe për dy prej projekteve të cilat konsiderohen si më të rëndësishmet për vendin, ajo e rrugës së Arbrit dhe ajo e hekurudhës Tiranë-Durrës.
Sa i takon Rrugës së Abrit, Rama tha se nuk mund të jepte datë pasi gjeologjia e tunelit të Murrizit u ka shkaktuar shumë probleme, por tha se ambicia është që të përfundojë brenda pranverës.
“Rruga e Arbrit ka mbetur vetëm te tuneli i Murrizit dhe mos më bëni t’ju jap datë sepse jamë bërë supersticioz me atë tunel. Me atë gjeologji dhe ato surpriza gjatë gjithë rrugës tamam si surprizat që bëjnë dibranët kur ulesh në sofër me ta dhe hedhin e presin fjalën. Ambicia është që pranvera t’i çojë dibranët te rruga e përfunduar. Por mos më kërkoni datë ju lutem, se jam bërë supersticioz për rrugën e Arbrit. Na nxori picirin tuneli i Murrizit”- u shpreh Rama.
Ndërsa për trenin Tiranë-Durrës, kreu i qeverisë tha se ka patur vonesa për shkak të procedurave me BERZH, por theksoi se hekurudha do përfundojë shumë shpejt.
“Treni Tiranë-Durrës do vihet në punë shumë shpejt. Jemi në një fazë shumë të avancuar të punimeve të hekurudhës. Ka marrë shumë kohë se ka patur procedura të stërzgjatura me BERZH”- shtoi kryeministri. Versus.al







