POLITIKË /

"Më lanë vetëm përballë bandave", kandidatja e PD në Durrës shigjeton Bylykbashin: Prisja më shumë prej tij

Shkruar nga Versus
"Më lanë vetëm përballë bandave", kandidatja
Selia e PD

 
Ilirjana Kuçana, kandidatja e PD për deputete në qarkun e Durrësit, ka folur mbi zhgënjimin e pësuar nga figura të njohura të demokratëve sa i takon fushatës për zgjedhjet e 11 majit.

E ftuar në A2CNN, Kuçana deklaroi se në listat e mbyllura të PD kishte humbës serialë të cilët ishin të paaftë për t'u përballur me bandat.

“Unë kam zgjedhur t’iu them të vërtetën demokratëve dhe këtë e kam bërë edhe brenda forumeve dhe do ta them sërish kur të bëhet analiza e brendshme. Ka pasur problematika, gabime, edhe në listën e mbyllur. Unë jam një zë që e kam thënë që kjo nuk ishte një listë e mbyllur që i duhej PD-së. Këto gabime kanë kushtuar, me njerëz që i kemi provuar që kanë humbur në disa zgjedhje. Ne nuk mund të çojmë drejtues politikë njerëz që kanë humbur zgjedhjet disa herë në një qark apo që janë humbës serialë. PD-ja duhet të çojë njerëz që janë të aftë të përballen me bandat kriminale”- tha Kuçana e cila mbeti jashtë Kuvendit. 
Ajo përmendi drejtuesin politik të PD për qarkun e Durrësit si njërin prej tyre duke thënë se ndihet e zhgënjyer prej tij. 

“Patjetër që kam pritur më shumë nga zoti Bylykbashi, pasi nuk kam pse e bëj unë betejën me bandat kriminale dhe nuk kam pse të jem unë përballë SPAK-ut, pasi nuk jam as drejtuese qarku dhe as kryetare. Unë kam qenë një kandidate në listë të hapur që jam përballur me bandat kriminale. Në Qarkun e Durrësit janë shumë të paktë ata që guxojnë t’ua përmendin emrat. Hezitojnë t’ua përmendin emrat e jo më t’i çojnë në SPAK”, tha Kuçana e cila përmendi gjithashtu se kandidatët demokratë janë kërcënuar nga bandat e zonës së Shkozetit.

“Ky është një moment jo shumë i lehtë për demokratët, të cilët i falënderoj dhe i them se PD është forca që do të vazhdojë rrugën që duhet çuar në fund. Unë jam këtu për të marrë edhe përgjegjësi dhe për të kërkuar edhe falje sa më takon. Beteja nuk ka përfunduar. Besoj se biem dakord se këto nuk ishin zgjedhje të lira. Unë kam qenë në një qark të vështirë, ku kam bërë fushat në kushte presioni nga bandat kriminale, ku unë personalisht i kam hasur dhe takuar çdo ditë të fushatës sime.

Ka pasur kandidatë të opozitës që janë kërcënuar për të mos hyrë fare në zonën e Shkozetit. Ndoshta kam qenë ndër të paktet kandidate që kam bërë fushatë në Shkozet. Të bësh fushatë me bandat që kontrollojnë portin e Durrësit, me bandat që kontrollojnë të gjithë pushtetin në Durrës, që vendosin drejtorët... dhe unë këtë s’po e them sot. Unë kam qenë para SPAK dhe kam denoncuar me emër dhe me mbiemër”, tha Kuçana. Versus.al

Poll