Edhe 3 ditë kanë mbetur nga fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj. Ashtu siç është krejt e natyrshme, të gjitha forcat politike, edhe kandidatët janë më të pranishëm se kurrë në terren për të bindur qytetarët të zgjedhin ata në fletën e votimit. Por fushata duket se ka edhe vështirësi që nuk ka lidhje me kundërshtarët...
I tillë është rasti i kandidates së Partisë Demokratike në listën e hapur të Tiranës, Dhurata Çupin.
Babai i saj është aktualisht në gjendje të rënduar shëndetësore në spital. Në këto kushte kandidatja për deputete ka lënë fushatën për të qenë pranë familjes së saj në këto momente të vështira, por me shpresën se puna e saj në Kuvend në 4 vitet që lamë pas të kenë ndikim në elektoratin e saj.
Puna që ka bërë 4 vite të shkuara dhe fushata e deritanishme duhet të jenë mjaftueshëm që Dhurata Çupi (Tyli) të marrë një tjetër mandat, edhe pse është më e vështirë se kolegët e saj në listën e hapur. Kjo është një anë ndryshe e fushatës, që shumë pak e njohin. Kandidatët, përveç presioneve dhe përplasjeve me kundërshtarët në terren, kanë edhe sfida personale, që duhet t’i kapërcejnë për të arritur qëllimet dhe për të vazhduar punën e tyre. Në fund të fundit, kanë njerëz me halle dhe probleme me të gjithë ne…








