Në komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ishte planifikuar të mbahej sot seanca dëgjimore me ministren e Shëndetësisë sa i takon buxhetit të vitit 2026.
Por ministrja Evis Sala nuk është shfaqur në komision duke u mjaftuar me dërgimin e zëvendësve të saj. kjo gjë nuk është pranuar nga kryetarja e komisionit, deputetja e PD, Jorida Tabaku e cila ka ndërprerë mbledhjen edhe pse socialistët kërkonin të vijonin me arsyetimin se kishin në mbledhje përfaqësues të rëndësishëm të ministrisë përkatëse.
Tabaku tha se nuk ka gjë më të rëndësishme sesa buxheti dhe për këtë kërkoi që mbledhja të zhvillohej në një orë ose edhe ditë tjetër kur ministrja Evis Sala të mund të ishte e pranishme.
“Ne kemi kërkuar që në këtë komision të vijë dhe të raportojë ministrja e Shëndetësisë. Nuk është një kërkesë e imja personale, por detyrim që vjen nga zbatimi i Rregullores. Është ministrja e parë që po kërkojmë në këtë komision. Ka fusha të rëndësishme duke nisur me zbatimin e ligjit të barazisë gjinore duke vazhduar me të drejtat e pensionistëve dhe çështje të minimumit jetik që lidhen me fushën e këtij komisionit. Do i propozoj komisioni të vendosim një orë tjetër kur ta bëjmë këtë dëgjesë dhe të vijë ministrja këtu për të ndjekur diskutimet e buxhetit, nuk ka gjë më të rëndësishme sesa kjo. Unë e kuptoj ngarkesën e një ministrje të re që ka ardhur në një pozicion të vështirë. Por për të vendosur një standart në këtë komision për buxhetin do jetë ministri, për çdo temë tjetër zv.ministri. Këtë mbledhje do ta mbyll për të thirrur ministren. Nëse ky komision do vazhdojë në mënyrë të njëanshme, vazhdoni”- tha Tabaku. Versus.al

