POLITIKË /

“Moment historik që lartëson kombin tonë”, politika shqiptare uron festën e shpalljes së pavarësisë

Shkruar nga Versus

“Moment historik që lartëson kombin tonë”, politika

Politika shqiptare ka uruar festën e pavarësisë që shënon 112 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur publikimin e një videoje me jehonën e këngës “Për ty Atdhe” për të uruar festën e pavarësisë.

“Mirëmëngjes dhe me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”, nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, te Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe Sheshi Skënderbej në Tiranë, ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë”- shkruan Rama.

Në rrjetin social të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili ndodhet në qelinë e burgut 313, është publikuar një urim për festën që bashkon të gjithë shqiptarët.

Urime të gjithë shqiptarëve kudo janë 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit!

“Kremtimi i 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë na fton të gjithëve të bashkohemi në mbrojtje të idealit të Lirisë, vlerave, identitetit dhe çështjes kombëtare, të Sovranitetit dhe integritetit territorial kundër çdo pushtuesi dhe kolonizatori të vjetër apo të ri, në mënyrë që Flamuri Kuqezi me shqiponjën dykrenare, simboli ynë i shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i pacënuar, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat dhe bijtë më të mirë të kombit. Të dëshmojmë vendosmërinë e palëkundur, mençurinë dhe patriotizmin më të lartë për mbrojtjen e këtyre idealeve e vlerave, si dhe në përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”- shkruhet në urimin e Metës.

Urime ka pasur edhe nga politikanët shqiptarë të Kosovës. Vjosa Osmani shkruan në facebook se kjo ditë është simbiozë e tri momenteve historike që prej ngritjes së flamurit deri tek datëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari.

"Më 28 nëntor, nderojmë historinë, flamurin dhe identitetin kombëtar, duke riafirmuar përkushtimin tonë për fuqizimin e shteteve tona.

28 Nëntori nuk është vetëm simbol i betejave dhe triumfeve tona, por edhe kujtim i sakrificave tona për të qenë të lirë, në paqe dhe krenarë. 28 Nëntori është simbiozë e tri momenteve historike që e lartësojnë kombin tonë: ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, dalja publike e UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari. Të bashkuar në zemër e shpirt, le ta festojmë këtë ditë me krenari!”- shkruan Osmani.

Ndërsa Kurti tha se kjo ditë e gjen Kosovën me projektin për të ngritur edhe kompleksin memorial për Adem Jasharin.

“Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Kompleksit Memorial "Adem Jashari" në Prekaz. Në këtë vend të shenjtë që ruan gjurmët e veprës heroike të Familjes Jashari, ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë të cilën e gëzojmë sot.

Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e Familjes Jashari”- shkruan Kurti në urimin e tij. Versus.al

Poll