
Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të tij me disa fermerë dhe zyrtarë të sektorit të bujqësisë, prezantoi aplikacionin “EuroAgro Albania” për të cilin tha se do të jetë një udhëzues për fermerët të cilët do të kenë nevojë për informacione lidhur me standartet e prodhimeve bujqësore apo afatet e dorëzimit të produkteve.
Rama tha se kjo është një parapërgatitje në mënyrë që anëtarësimi në BE t'i gjejë gati fermerët dhe ndërmarrjet bujqësore.
“Është një udhërrëfyes për të gjithë ju, një burim informacioni për standarte, për afate dhe detyrime konkrete. Është kanal dialogu. Secili nga ju mund të hyjë aty dhe të komunikojë, të pyesë dhe të marrë përgjigjie për aspekte të problematikës me të cilën përballet. Është mjet koordinimi që garanton që mes jush e nesh përmes ministrisë së Bujqësisë ka ndërveprim të vazhdueshëm. Shpresoj që në këtë platformë të futet universiteti Bujqësor sepse është derë e re e hapur për të gjithë ju”- tha Rama.
Ndërsa u bëri thirrje të gjithë pronarëve të kompanive bujësore që të investojnë tek dijet dhe burimet njerëzore në mënyrë që kur Shqipëria të anëtarësohet në BE, të mos jenë në prag falimenti për shkak të mospërgatitjes.
“Dua ta besoni këtë gjë se nuk është dicka që duhet thënë se kështu e do muhabeti. Mos lini ditë të kalojë pa investuar tek mendja e kompanisë, pa investuar tek fuqia njerëzore, pa trajnuar dhe pa përditësuar dijen. Mos lini ditë të kalojë pa sjellë në kompani diçka të re, sado të vogël në aspektin e të mësuarit. Sepse dija është ajo që kur ka munguar, flas për eksperienca në vende të tjera, ka sjellë falimentim të menjëhershëm në momentin e hapjes së dyerve të BE”- shtoi Rama. Versus.al

