POLITIKË /

"Na duhet një person i përkryer", Shehaj propozon kandidat të përbashkët të opozitës për bashkinë Tiranë

Shehaj shprehu gatishmërinë për negociata me partitë e tjera opozitare për të nxjerrë një kandidat sa më të përkryer dhe jo politik.

Shkruar nga Versus

"Na duhet një person i përkryer", Shehaj propozon kandidat

Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj foli në Euronews lidhur me kandidaturën që sipas tij opozita duhet ta gjejë përballë kandidates së PS Ogerta Manastirliut për bashkinë e Tiranës.

Shehaj u shpreh se duhet të ketë një dakordësi mes të gjitha partive të opozitës lidhur me një figurë përbashkuese dhe jo politike. sipas tij duhet që kandidati të jetë “i përkryer” dhe i pavarur për të përfaqësuar opozitën dhe jo një parti të caktuar politike.

“Duhet një kandidat jopolitik, i pavarur, që të bashkojë 32 përqindëshin e PD-së, 6 përqindëshin e një partie tjetër, apo 3 përqindëshin e forcës tjetër që vjen pas. Kjo është e vetmja mënyrë që të mundim Edi Ramën. Nuk ka rëndësi emri tani. Duhet të vendosim nëse jemi dakord me këtë qasje – pastaj emri gjendet, se ka shqiptarë të zotë. Na duhet një kandidat i përkryer dhe i jashtëzakonshëm, pavarësisht se çfarë mendojnë kryetarët e partive opozitare. Ideja është të gjejmë një kandidat të pavarur, që të përfaqësojë opozitën”, u shpreh Shehaj.

Nga ana tjetër PD ende nuk ka një emër konkret për ta nxjerrë si kandidat në zgjedhjet që do të zhvillohen për Tiranën ku Manastirliu do të kandidojë për të pasuar Veliajn në drejtimin e bashkisë më të madhe të vendit. Versus.al

Poll