Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij për mediat gjatë mbledhjes së kryesisë së PD mesditën e sotme në selinë blu ku do të diskutohet lidhur me kandidaturat për zgjedhjet lokale të pjesshme që mbahen në 9 nëntor.
Berisha duke e cilësuar qeverisjen e Ramës si “diktaturë autoritare”, tha se bojkoti nuk është zgjidhje dhe se opozita duhet të garojë edhe në Tiranë pavarësisht dekretit të Begajt që e quajti antikushtetues.
Mes të tjerash sa i takon negociatave që grupi i PD po zhvillon me partitë opozitare, Berisha tha se është diskutuar për modelin dhe jo për një kandidaturë konkrete.
“Qindra e mijëra militantë do donin të kishin kandidat dikë prej jush, por disa të tjera do donin të kishin një kandidat jashtë nesh, jo me qëllimin negativ, por me qëllimin më të mirë që të jemi sa më afër fitores. Janë edhe këto.
Njerëz që mendojnë se dalja jashtë modelit strikt partiak, aplikimi i modelit tjetër nga PD, është një përfillje më e madhe për elektoratin dhe ka shanse më të mëdha.
Edhe njëherë e them, nuk janë bërë diskutime për kandidatura nga përfaqësuesit tanë, janë bërë diskutime për modelin që do të bashkonte më shumë spektrin opozitar në kandidaturën e Tiranës. Ne nuk i ndalojmë dot të shprehin mendime, por asnjë takim nuk është bërë për kandidatura, takimet janë bërë për modelin”- deklaroi Berisha. Versus.al







