POLITIKË /

Nesër afati i fundit për komisionin e ‘Sterilizimit’, Vokshi kërkon shtyrjen: Nuk mbyllet pa u pyetur Rama

Sot në listën e dëshmitarëve për t'u pyetur nga komisioni, janë Ogerta Manastirliu dhe Albana Koçiu.

Shkruar nga Versus
Nesër afati i fundit për komisionin e ‘Sterilizimit’,
Vokshi dhe Ndreca gjatë mbledhjes së komisionit

Të nesërmen përfundon afati për komisionin e posaçëm hetimor për koncesionet në Shëndetësi.

Albana Vokshi, kryetarja e komisionit ka kërkuar shtyrjen e afatit për paraqitjen e raportit të përpiluar gjatë pyetjes së dëshmitarëve dhe hetimeve të kryera me arsyetimin se nuk është paraqitur ende kryeminstri Edi Rama.

Ajo tha se me vendim të gjykatës Kushtetuese, Rama e ka të detyruar të paraqitet para deputetëve dhe të japë përgjigjie lidhur me koncesionet e “Sterilizimit” dhe “Check Up” të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 200 milionë euro në total.

“Nuk ka ndodhur në 30 vite kjo që po ndodh këto kohë. E di që halli juaj është i madh. Nuk arrij ta kuptoj sesi kemi arritur deri këtu, në këtë mungesë kaq të madhe serioziteti në komision. Po nuk u bë kërkesa sot për shtyrje, nuk mblidhet dot më komisioni, as për të dëgjuar dëshmitarët as për të kaluar raportet. Nëse sot nuk shtyhet afati i komisionit, nuk kalojnë dot raportet. Kush është plani që keni bërë për nesër? Jo, ky komision nuk duhet të mbyllet pa ardhur Edi Rama këtu. Opozita me vendim të gjykatës Kushtetuese e ka të drejtën të thërrasë këdo që ka qenë i vështirë. Nuk mbyllet ky komision pa ardhur Rama”- u shpreh Vokshi mes të tjerash.

Demokratja kërkoi që komisioni të vazhdojë punën brenda kuadrit të përcaktuar nga ligji. Nga ana tjetër deputetë socialistë i janë përgjigjur Vokshit duke thënë se kanë qenë deputetët e PD ata të cilët kanë bllokuar punën e komisionit. 

Në listën e dëshmitarëve për t'u pyetur ditën e sotme janë ish-ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu (aktualisht ministre e Arsimit) dhe ministrja aktuale e Shëndetësisë, Albana Koçiu. Ndërsa për nesër është përcaktuar pyetja e ish-ministrit Ilir Beqaj, i cili pritet të shoqërohet nga qelia ku po mbahet nën arrest për abuzime me fondet e BE-së gjatë kohës që mbante postin e drejtorit të "SASPAC".

Komisioni hetimor për koncesionet në Shëndetësi është përfshirë nga anormaliteti që pas seancës së 30 shtatorit ku opozita iu rikthye kaosit dhe aksionit të dhunshëm menjëherë pas dënimit dhe arrestimit të ish-deputetit Ervin Salianji. Deputetët e përjashtuar demokratë nuk janë lejuar nga garda që të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: