POLITIKË /

Nesër episodi i fundit i "telenovelës" së zgjedhjeve! Mandatin në çdo rast e merr një zonjë

Kolegji Zgjedhor pritet të japë fjalën e tij përfundimtare lidhur me ankimimet për procesin e zgjedhjeve të 11 majit

Shkruar nga Versus

Nesër episodi i fundit i "telenovelës" së zgjedhjeve!

Neser, më 25 gusht, çështja e mandatit të vetmuar, që u “dhurua” nga Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, do të hyjë në një fazë të re, kur Kolegji Zgjedhor pritet të japë fjalën e tij përfundimtare lidhur me ankimimet për procesin e zgjedhjeve të 11 majit.

Adriatik Lapaj ka kërkuar që mandati i vetëm të transferohet nga e para në listën e mbyllur, Ana Dajko, te i pari në listën e hapur, të cilën e udhëheq vetë. Por, ky transferim duket se është i pamundur, për shkak të një klauzole të Kodit Zgjedhor, që i jep prioritet ruajtjes së kuotës gjinore.

Në vendimin e KAS të datës 30 korrik, u theksua se, edhe në rast se mandati kalon nga Ana Dajko, ai duhet të kalojë te një grua tjetër, pasi Kodi Elektoral kërkon që një grua të zëvendësojë një grua. Kjo do të thotë që, në rast dorëheqjeje të Ana Dajkos, mandati do t’i kalojë Livia Stavrit, partneres së Endri Shabanit, duke i dhënë kështu fund një telenovele politike që ka tërhequr shumë vëmendjen gjatë verës.

Pavarësisht se ky vendim nuk ndryshon rezultatin e zgjedhjeve, ai është i rëndësishëm për certifikimin e përfundimit të procesit dhe për mundësinë e betimit të 140 deputetëve të rinj në seancën e parë të legjislaturës së re që nis më 10 shtator.

Poll