POLITIKË /

Nesër seancë në Kuvend, deputetët rikthehen përballë Ramës dhe Altin Dumanit

Gjatë këtyre pesë javëve, deputetët do të kenë për detyrë të shqyrtojnë dhe miratojnë raportet vjetore të institucioneve të pavarura si dhe të përgatisin rezolutat përkatëse. Ky proces duhej të kishte nisur që në prill, por u shty për shkak të fushatës zgjedhore.

Shkruar nga Versus

Nesër seancë në Kuvend, deputetët rikthehen

Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Kuvendi i Shqipërisë do të rifillojë punimet këtë të enjte, më 29 maj, me një axhendë intensive që do të zgjasë deri më 9 korrik. Edhe pse legjislatura aktuale ka përfunduar de facto, ajo vijon de jure deri në korrik, duke lënë hapësirë për një fazë tranzitore në të cilën do të shqyrtohen çështje të rëndësishme institucionale dhe ligjore.

Gjatë këtyre pesë javëve, deputetët do të kenë për detyrë të shqyrtojnë dhe miratojnë raportet vjetore të institucioneve të pavarura si dhe të përgatisin rezolutat përkatëse. Ky proces duhej të kishte nisur që në prill, por u shty për shkak të fushatës zgjedhore.

Një nga momentet më të rëndësishme pritet të jetë përballja e deputetëve të opozitës me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Opozita ka akuzuar këtë institucion për neglizhencë ndaj krimeve zgjedhore dhe për mosndjekje të akuzave për blerje votash nga zyrtarë të Partisë Socialiste me para të dyshuara si të ardhura kriminale.

Në këtë sesion të fundit do të diskutohet edhe për një prej akteve më të diskutueshme të ndërmarra nga qeveria: falja e gjobave administrative të vendosura nga viti 2015 deri më 30 nëntor 2024. Ky akt normativ u shpall vetëm dy ditë para zgjedhjeve dhe është tashmë i depozituar në Kuvend për miratim. Ai prek mijëra familje që janë ndëshkuar për ndërtime pa leje si çati, mure rrethues apo magazina.

Akti është bazuar në një ligj të miratuar në dhjetor 2024, i cili parashikon shfuqizimin e gjobave të paekzekutuara nga institucione si Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, AKU, Policia e Shtetit dhe të tjera. Nëse miratohet nga deputetët, vendimi do të marrë fuqi të plotë ligjore.

Kësisoj, javët në vijim do të shënojnë përmbylljen formale të legjislaturës, e cila do të pasohet nga një Kuvend i ri që pritet të nisë punën në shtator, pas certifikimit zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve dhe konstituimit të përbërjes së re parlamentare. /Versus.al/

Poll