Seanca e sotme plenare ka nisur me debate pasi deputetët e PD i kanë kërkuar llogari kryeparlamentares Elisa Spiropali për faktin se nuk ishte futur në rend dite interpelanca me kryeministrin Edi Rama lidhur me arbitrazhin e Bechettit për të cilën Shqipëria duhet të paguajë 110 milionë euro dëmshpërblim.
Spiropali sqaroi se kryeministri e kishte të pamundur pjesëmarrjen për shkak të agjendës së ngarkuar dhe se interpelanca do të zhvillohet në një seancë tjetër.
Duke qenë se nesër në Komisionin e Venecias shqyrtohet çështja sesi duhet të veprojë Kuvendi për kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës, kreu i grupit parlamentar Gazment Barhdi kërkoi që pjesë e delegacionit të jenë edhe deputetët e PD.
“Ajo që po kërkoj është që delegacioni që përfaqëson Kuvendinn ë një institucion ndërkombëtar si Komisioni i Venecias do duhet të jetë i balancuar. Nëse këtë e keni çështje të PS na e thoni, por ne kemi menduar se i jeni drejtuar të sqaroni një çështje kushtetuese, por nëse e keni shpallur këtë një republikë njëpartiake na e bëni me dije. Na vini në dispozicion draft opinionin sepse e kemi marrë vesh që iu është dërguar juve. Është dokument pune dhe kemi të drejtë të njihemi me të”- tha Barhdi.
Nga ana tjetër Spiropali tha se draft opinioni do të bëhet publik ditën e nesërme pas mbledhjes së komisionit së Venecias dhe sa i takon delegacionit tha se më herët kërkesat e saj për prezencën e deputetëve opozitarë, ishin refuzuar.
“Nesër është seanca dhe do të bëhet publik dhe do ta kenë të gjithë deputetët. Sa i takon delegacioneve, sigurisht që unë do jem në seancë. Kjo nuk ka lidhje me asnjë emër tjetër aty. Ashtu sikundër unë ju kam bërë ftesë duke kërkuar prezencë të deputetëve të opozitës, por kemi marrë përgjigjie refuzuese. Ju garantoj që në momentin që drafti do jetë publik, shumica e pakica parlamentare do e kenë në të njëjtën kohë”- argumentoi Spiropali. Versus.al