Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare për të dytën herë brenda javës me fokus kryesor interpelancën e kërkuar nga grupi parlamentar i PD me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu sa i takon ngjarjes së ndodhur pranë shkollës “Fan Noli” ku u vra me thikë një nxënës 14 vjeçar dhe u plagos një tjetër.
PD ka kërkuar që të zhvillojë interpelancën urgjente me ministren sa i takon masave të ndërmarra mbi sigurinë e nxënësve në shkolla dhe ecurinë e paketës së sigurisë që u theksua gjatë kohës që Taulant Balla ishte ministër i Brendshëm.
Për ngjarjen e rëndë, qytetarët zhvilluan disa protesta ku kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu duke e akuzuar këtë të fundit për mungesën e sigurisë në shkolla dhe rënien e cilësisë së arsimit.
Ndërkohë në rendin e ditës së sotme për t’u diskutuar në Kuvend është edhe projektligji i marrëveshjes me BERZH për projektin e përmirësimit të sistemit të shëndetësisë.
Risi në seancën e kaluar plenare ishte rikthimi i kryedemokratit Sali Berisha pas mungesës 11 mujore për shkak të arrestit shtëpiak të caktuar nga GJKKO lidhur me aferën “Partizani”. Sapo doli në foltoren e Kuvendit, Berisha hodhi akuza ndaj deputetëve socialistë dhe mazhorancës se ishin përpjekur ta mbanin atë në arrest për të asgjësuar opozitën, ndërsa tha se situata ekonomike e qytetarëve është shumë e përkeqësuar.
Mes debateve, u miratua edhe buxheti i vitit 2025 i cili mori 75 vota pro duke e bërë kështu buxhetin më të madh në histori të vendit. Versus.al
Dokumenta bashkëngjitur