Pas prononcimit për rastin e shembjes së strukturave pa leje të ngritura në Theth, kryeministri Edi Rama foli për reformat që pritet të ndërmarrë qeveria me disa projektligje për ngritjen e një ndërmarrje kombëtare për shpërndarjen e ujit dhe për trajtimin e mbetjeve duke u shtrirë edhe tek furnizimi me barna dhe siguria ushqimore.
Duke i konsideruar si pika kyçe të kushteve që duhet të përmbushë Shqipëria për anëtarësim në BE, Rama dha detaje mbi planin e reformave që qeveria ka ndërmend të marrë.
“Na duhet një ndërmarrje kombëtare e ujit dhe na duhet një korporatë e re e cila të adresojë problemin e investimeve dhe të gjitha marrëdhënieve me donatorët dhe institucionet financiare në gjithë Shqipërinë që janë lesh e li”- u shpreh ai.
Trajtimi i mbetjeve
“Qoftë për ujin qoftë për trajtimin e mbetjeve do duhet të kalojmë në nivel kombëtar. Do duhet të ndërtojmë sinergji me korporata të nivelit ndërkombëtar. Kjo do të na ndihmojë në njëmijë e një arsye të çojmë në nivel tjetër investimet apo shërbimin me ujë. Në sistemin e trajtimit të mbetjeve kemi një hartë shumë më ndryshe nga ajo që ishte. Por duhet të konsolidohet dhe duhet të bëhet një sistem i trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar.”
Furnizimi me naftë
“Po punojmë për një sistem të ri të furnizimit të naftës. Është një domosdoshmëri për të kaluar edhe tek furnizimi i naftës me shtetin si protagonist në furnizimin me naftë. Gjë që kemi besim se do sjellë një kontroll shumë më efikas qoftë mbi çmimin qoftë mbi gjithë sistemin e qarkullimit të naftës.”
Barnat mjekësore
“Po punojmë për cështjen e barnave mjekësore, për furnizimin e gjithë sistemit qoftë atij publik apo privat me barna. Përsëri me shtetin si palë, si protagonist. Ka ardhur koha të prodhojmë sukses duke u bërë palë. Kemi ndryshuar edhe gjithë qasjen ndaj pronës prej kohësh. Kemi vendosur shtetin në rolin e pronarit që nuk lëshon prona, por merr pjesën e vetë për llogari të qytetarëve.”
Siguria ushqimore
“Edhe këtu na duhet të hedhim hapa shumë të mëdhenj përpara sepse është një nga pikat më të dobëta që kemi në kushtet që duhen përmbushur për anëtarësim në BE. Me pezullimin e veprimtarisë së AKU dhe fillimin e procesit të provimit të të gjithë inspektorëve me gojë e me shkrim si dhe hapjen e mundësisë për të tjerët kemi hedhur hapin e parë.
Sot ka filluar procesi i kontrolleve dhe konfiskimit të qumështit dhe bulmetrave pa faturë e pa siguri ushqimore në këto temperatura të larta. Qomësht dhe bulmet i freskët pa faturë dhe mish i freskët pa faturë nuk do lejohet dhe kushdo që do ta tregtojë, do ta humbasë atë si mall.” Versus.al







