
Në Shqipëri, debati për TikTok-un kishte kohë që kishte kaluar përmasat teknologjike. U kthye në një çështje gati ekzistenciale: a duhet të lejojmë të rinjtë të kenë akses në një platformë ku mund të bëjnë video duke kërcyer, qeshur, ose më keq menduar? Qeveria vendosi të mbyllë TikTok-un. Arsyeja zyrtare? “Siguria kombëtare”. Arsyeja reale? E pashpjegueshme në më pak se 300 faqe.
Ndërkohë që figura të larta publike e mbështetën këtë akt heroik të mbylljes dixhitale, një personazh vendosi të bëjë të kundërtën: të futej vetë në TikTok. Me zhurmë. Me filtra. Me meme. Me “POV: kur dikush thotë se s’kam bërë mjaftueshëm për Tiranën”.
Po flasim për Erion Veliajn, kryebashkiakun e Tiranës, i cili për rreth një javë e transformoi profilin e tij TikTok në një lloj “komedie vetjake politike”, ku shfaqet si kamerier, i arrestuar, i keqkuptuar, por gjithmonë me një “attitude” që i përshtatet më shumë një influencer-i.
Ironia si strategji e butë për të kaluar të vështirën
Në një nga videot më të komentuara, Veliaj thotë me tekstin e mbivendosur:
"When people ask if jail changed me, but I’ve always been a humble daddy mayor, and acts of service has alëays been my love language."
Në një tjetër:
"Propaganda I’m not falling for: HATERS. Me serving time in jail without a trial."
Këtë mund ta quajmë “strategji e normalizimit përmes humorit”. Arrestimi nuk mohohet. Nuk argumentohet. Thjesht bëhet meme. Dhe, në një vend ku e vërteta gjithsesi është një koncept relativ, pse jo?
Një komunikim që nuk kërkon të bindë, por të pëlqehet
Veliaj nuk po kërkon të mbajë një qëndrim politik, as të shpjegojë një vizion për qytetin. Ai po tenton të krijojë një version të përtypshëm të vetes në logjikën e TikTok-ut: i thjeshtë, i kuptueshëm, pak “cool”, pak i keqkuptuar, por gjithmonë në kontroll të narrativës.
E narrativa është: Jo platforma politike, por storytelling personal. Jo kryetar bashkie, por "humble daddy mayor".
Ç’na thotë kjo për politikën në epokën e spektaklit?
Kjo qasje mbart edhe autoironi, por edhe rrezik: kur i gjithë komunikimi politik reduktohet në një seri skenash të edituara bukur me soundtrack në prapavijë, qytetari nuk ka më hapësirë të bëjë pyetje të pakëndshme. Nëse e bën, duket sikur nuk e ka kuptuar shakanë. Po pyetja që ngrihet është, në ç’kontekst përdoret ky humor?
Dyzimi i Veliajt
Dikur Veliaj mallkonte prokurorët nga paraburgimi në Durrës. Sot, i njëjti njeri shfaqet në TikTok me mesazhe si: “Jam mirë, për të interesuarit, thjesht jam duke menduar për pemët dhe shkollat.” Nëse do ishte serial Netflix, do quhej From Bars to Memes.
Megjithatë, s’mund të mohohet që kjo strategji ka funksionuar për kryebashkiakun, pasi klikimet, komentet dhe kjo sjellje e re e tij, ka fituar goxha shikueshmëri. Versus.al







