POLITIKË /

Nisin përplasjet brenda PD! Andia Ulliri kërkon karrigen e Arjan Ndojës në Parlament: Respektoni kuotën gjinore

Sipas Ullirit, shpallja si fitues e Arjan Ndojës, i cili ka rezultuar i pari në listën e kandidatëve me më shumë vota parapëlqyese, është në kundërshtim me ligjin dhe cenon përfaqësimin e duhur gjinor.

Shkruar nga Versus

Nisin përplasjet brenda PD! Andia Ulliri kërkon karrigen e Arjan

Kandidatja e Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Andia Ulliri, ka depozituar një ankesë zyrtare pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar rishikimin e shpërndarjes së mandateve dhe pretendon mandatin e deputetit Arjan Ndoja. Ajo argumenton se KQZ nuk ka respektuar kuotën gjinore të përcaktuar në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor.

Sipas Ullirit, shpallja si fitues e Arjan Ndojës, i cili ka rezultuar i pari në listën e kandidatëve me më shumë vota parapëlqyese, është në kundërshtim me ligjin dhe cenon përfaqësimin e duhur gjinor. Në ankesën drejtuar KQZ-së, ajo shkruan:
“Veprimi juaj për të shpallur të zgjedhur z. Arjan Ndoja është në kundërshtim me ligjin dhe përbën një shkelje të parimit kushtetues për përfaqësimin gjinor.”

Ulliri i referohet ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor, të miratuara nga Kuvendi, të cilat kërkojnë që një në çdo tre kandidatë fitues në listë, pas rirenditjes me vota parapëlqyese, të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar.
Në tekstin e ankesës citohet:
“Në rastet kur nga rirenditja nuk rezulton që duke filluar nga kreu i listës një në tre emra t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, atëherë kandidatja e tretë në këtë listë dhe në vijim një në çdo tre emra i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar sipas numrit të votave që kanë marrë.”

Ajo përmend gjithashtu një vendim të Gjykatës Kushtetuese, Nr. 85, datë 24.12.2024, si bazë ligjore mbështetëse të pretendimeve të saj. Sipas këtij vendimi, lista zgjedhore duhet trajtuar si një dhe e vetme, pavarësisht ndarjes për qëllime teknike, dhe kuota gjinore duhet të zbatohet në mënyrë rigoroze në shpërndarjen përfundimtare të mandateve. /Versus.al/

Poll